LDK-ja dhe PDK-ja fajësojnë Qeverinë për tollovinë ku po vaksinohen të moshuarit

SHFLETO
Valon Rashiti
14.05.2021 13:49
Loading Icons...

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike përmes konferencave për media e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për tollovinë e krijuar të premten tek salla “1 tetori” në Prishtinë ku po vaksinohen të moshuarit mbi 65 vjeç.

Në një konferencë për media ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se “Ministria e Shëndetësisë, e menaxhuar nga ministri Arben Vitia, po e rrezikon jetën e qytetarëve duke mos arritur të sigurojë vaksinat anti-COVID”.

“Albin kurti ka rrezikuar jetën e qytetarëve, nuk e kanë në plan qytetarin, ata vazhdojnë të qeverisin si populistë. Sot deputetët e tyre merren me lindjen e mesme, i kanë mashtruar qytetarët, me transparencë 0, asnjë kontratë e nënshkruar, në një luftë politike, ekstreme për të mbyllur zërin e qytetarëve dhe të mediave”, tha Zemaj.

“Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti dhe Ministri i shëndetësisë Arben Vitia i kanë rrezikuar qytetarët. Kur kemi thënë që jemi të dëshpëruar me situatën e krijuar është dukur si politike, por kjo u dëshmua dhe shihet që kjo qeveri nuk ka prioritet shëndetësinë” shtoi ai.

Ndërkaq ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se shteti bëri krim ndaj qytetarëve pas tollovisë që ndodhi në qendrën e vaksinimit në sallën ‘’1 Tetori’’ në Prishtinë.

“Jemi të dëshpëruar me pamjet që i pamë në trajtimin e qytetarëve në sallën ‘’1 Tetori’’. Ishim dëshmitar të pamjeve tronditëse ku të moshuarit shtyheshin me njëri-tjetrin për të marrë vaksinën. Sot mungoi shteti, mungoi kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë. Kjo është e papranueshme. Sot shteti bëri krim ndaj qytetarëve dhe qeveria duhet të mbajë përgjegjësi. Ne si PDK kërkojmë përgjegjësi penale dhe morale për këtë”, ka thënë Hoxhaj.

I pari i PDK-së ndërkohë kritikoi ftesën e kryeministrit Albin Kurti për të diskutuar në Kuvend të hënën programin qeverisës, që sipas Hoxhajt, është thjesht një program seminarik dhe nuk thotë asgjë.

Hoxhaj potencoi po ashtu se ‘ftesa që Kurti bëri dje për të hënën që të diskutohet në Kuvend për programin tregon për qasjen autoritare të Kurtit”.

“Së pari vaksinimi, pasojat e pandemisë e arsimimi së treti. Në program në faqen 5 dhe 6 përmendet se si do të vaksinohet 60% e popullsisë dhe asgjë më shumë. Jemi ballafaquar me humbjen e një gjenerate në arsim. Programi e ka vetëm një fjali për këtë. Shkollat janë lënë vetëm, nxënësit janë lënë vetëm. E të tre skenarët e arsimimit kanë dështuar”, ka theksuar Hoxhaj.