LDK-ja deshi t’ia bëjë Kosovës çka i bëri Serbia, thonë nga Vetëvendosje

SHFLETO

Foto nga videoja e VV-se

 

Valon Rashiti
09.02.2023 16:24
Loading Icons...

Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar me publikimin e videove propagandistike, por ndryshe nga herë të tjera kur sulmi i drejtohej gjithë opozitës pa përjashtim, video-segmenti i fundit është i dedikuar vetëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Nuk pritet gjë e mençur nga LDK”, thotë videoja, sepse “ata kërkojnë vota nga qytetarët e mendojnë për milionerët”.

Videoja sulmuese në drejtim të LDK-së vjen pikërisht në ditën kur LDK-ja i ndihmojë Vetëvendosjes në kalimin e Projektligjit për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Storia kritikon propozimet e LDK-së për përmirësimin e gjendjes ekonomike, derisa thuhet se me qeverinë e Vetëvendosjes po shënohet rritja më e madhe ekonomike në rajon.

Pos tjerash, videoja thotë se LDK-ja deshi t’ia bëjë Kosovës çka i bëri Serbia sa i përket trustit pensional, duke provuar ta shkatërrojë.

Narratori në video gjithashtu shton se Qeveria u ka ndihmuar të gjithë personave që kanë nevojë në Kosovë dhe “secilës kategori shtetërore” dhe se rritja ekonomike është ndjerë në çdo segment.

Sipas videos, përkundër se në LDK ka shumë ekonomistë, Qeveria i ka fituar të gjitha debatet për ekonominë.