Lajme

LDK: Gjatë 3 viteve qeverisje të VV-së, gjendja në Shëndetësi vazhdimisht është përkeqësuar


Armend Zemaj

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, në një konferencë për media të premten ka thënë se kur po kalojnë tri (3) vite nga qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje, gjendja në sektorin e shëndetësisë po vazhdon të përkeqësohet edhe më shumë.

“Derisa po flasim këtu në institucion kryesor të shëndetësisë në vend, emergjencën klinike mungojnë gjërat elementare, si shiringat, madje edhe nuk furnizim të mirë as me infuzione”, tha Zemaj.

Edhe ato infuzione, vuri në pah ai, që i ofron Ministria e Shëndetësisë, “fatkeqësisht na kanë dalur nga Serbia – shtet ky të cilin askush më shumë se partia në pushtet nuk e ka kritikuar për furnizime, por se një gjë e tillë po bëhet për interesa klanore dhe biznesore”.

“Kjo qeveri nëse shumë pak ka punuar në fusha të tjera, me bindje të plotë e themi se në shëndetësi nuk ka punuar fare”, shtoi.

Ish-ministri i Shëndetësisë nënvizoi se gjatë këtyre 3 viteve në pushtet qeveria e drejtuar nga Albin Kurti i ka ndërruar 3 ministra në këtë dikaster, “përfshirë edhe vetë Kurtin si të vetëemëruar me komisionin e tij ekzekutiv, e katër drejtorë të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar”.

“Nuk ka një strategji për shëndetësi, e më shumë se 200 mjekë në vit po na ikin, e për ikjen e tyre nuk ka asnjë reagim nga qeveria”, ngriti shqetësimin ai.

Madje, theksoi ai, “kryeministri i vendit bënte deklarata qesharake duke thënë se gjendja nuk është aq keq sa raportohet në numra të fryrë”.

“Nuk kemi asnjë investim kapital. Kemi ankesa të njëjta nga të gjithë profesionistët shëndetësor. Fondin shëndetësor që e ka premtuar ministri [Arben] Vitia, nuk e kemi asgjëkund”, potencoi Zemaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore