Lajme

Lavrov propozon Asociacion si në Kosovë për armenët e Nagorno-Karabakut


Ararat Mirzoyan dhe Sergey Lavror

Ministri i Jashtëm i Armenisë, Ararat Mirzoyan, më 20 mars ka takuar ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavror, me të cilin kanë diskutuar çështje të ndryshme që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve përfshirë edhe çështjen e Nagorno-Karabakut – një rajon i kontestuar dhe vatër konflikti në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit me vite të tëra.

Në këtë takim, siç raportojnë mediat armene, është zhvilluar edhe një bisedë për zhvillimet e fundit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Në këtë pikë, siç raportojnë mediat armene, kryediplomati rus, ka mbështetur qëndrimet e kryeministrit të Armenisë, Nikol Pashinyan, për nevojën e një dialogu midis Nagorno-Karabakut dhe Azerbajxhanit, për një zgjidhje paqësore të konfliktit, ku ndër të tjera Lavror ka theksuar nevojën e respektimit të çdo marrëveshjeje të arritur ndërmjet dy vendeve.

“Lavror ka përmendur shembullin e marrëveshjes së Minskut, me të cilën rusët të cilët banojnë në pjesën lindore të Ukrainës, kanë fituar të drejtën për t’u arsimuar në gjuhën e tyre amtare, duke ruajtur kulturën, fenë dhe marrëdhëniet e tyre me Rusinë”, citojnë mediat armene.

Lavror në këtë pikë ka ndërlidhur marrëveshjen e Minskut, me të drejtat të cilat i kanë fituar serbët e Kosovës me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke nënvizuar nevojën për një marrëveshje të tillë edhe për armenët të cilët jetojnë në rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakut.

“Përafërsisht, të njëjtat të drejta ishin parashikuar në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës 10 vjet më parë, në marrëveshjen për themelimin e ‘organeve të vetëqeverisjes lokale serbe të Kosovës’. Unë mendoj se populli i Karabakut ka nevojë për një grup të tillë të drejtash”, ka shtuar ai.

Lavrov ndër të tjera në një konferencë për media me homologun e tij armen ka deklaruar se Federata Ruse është e gatshme të ndihmojë Armeninë dhe Azerbajxhanin në negocimin e parametrave të një traktati paqeje, duke përfshirë zhbllokimin e komunikimeve të transportit dhe përcaktimin e kufirit armeno-azerbajxhan.

Historiku

Në nëntor të vitit 2008, presidenti armen Serzh Sarkisyan, i cili ka lindur në Nagorno-Karabakh, dhe presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev nënshkruan një marrëveshje historike – marrëveshja e parë e tillë në 15 vjet.

Ata u zotuan të intensifikonin përpjekjet drejt zgjidhjes së konfliktit mbi rajonin e Nagorno-Karabakut.

Pavarësisht gjesteve të herëpashershme të afrimit mes dy vendeve, përplasjet episodike ndodhën gjatë vitit 2010.

Një qeveri e re në Armeni në vitin 2019 solli shpresën për një fillim të ri të negociatave mbi Nagorno-Karabakun, por një prishje e diplomacisë në vitin 2020 çoi në përplasje në korrik.

Me forcat armene të shkatërruara nga lufta, Aliyev dhe kryeministri armen Nikol Pashinyan ranë dakord më 9 nëntor për një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia.

Marrëveshja kërkonte që Armenia të hiqte dorë nga kontrolli i saj ushtarak mbi Nagorno-Karabak dhe lejoi paqeruajtësit rusë të ruanin rajonin për pesë vjet.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore