Lajme

Laureatja e Çmimit Nobel për Paqen 2023, Narges Mohammadi


Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vendosur t’i japë Çmimin Nobel të Paqes 2023 Narges Mohammadi-t, për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe luftën e saj për të promovuar të drejtat e njeriut dhe lirinë për të gjithë.

Ndër pretendentët e këtij viti ishin presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së António Guterres.

Komiteti kishte gjithsej 351 kandidatë për të zgjedhur dhe fituesit do t’i jepet një medalje ari, një diplomë dhe 11 milionë krona suedeze.

Të shtunën, qendra do të mbajë një festë për laureatin e këtij viti me një leksion nga kryetarja e komitetit norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen.

Mohammadi është një aktiviste iraniane për të drejtat e njeriut, e cila aktualisht ndodhet në burg.

Në maj 2016, ajo u dënua në Teheran me 16 vjet burgim për krijimin dhe drejtimin e “një lëvizjeje për të drejtat e njeriut që bën fushatë për heqjen e dënimit me vdekje”.

Në vitin 2022, ajo u emërua në listën e 100 grave të BBC-së.

Gjatë karrierës së saj universitare, ajo ka shkruar artikuj në mbështetje të të drejtave të grave në gazetën studentore.

Dhe vazhdoi të punojë si gazetare për disa gazeta reformiste dhe botoi një libër me ese politike të titulluar “Reformat, Strategjia dhe Taktikat”.

Në vitin 2003, ajo iu bashkua Qendrës Mbrojtëse të të Drejtave të Njeriut, të kryesuar nga laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, Shirin Ebadi.

Dhe më vonë u bë nënkryetare e organizatës.

Emri i saj është bërë sinonim i luftës për të drejtat e njeriut në Iran – një betejë që i ka kushtuar pothuajse gjithçka.

Mohammadi ka qenë e burgosur për shumicën e dy dekadave të fundit.

Ajo është dënuar në mënyrë të përsëritur për të qenë zëri i të pazërit, për fushatën e saj të paepur kundër dënimit me vdekje dhe izolimit – të cilin i është dashur të durojë me javë të tëra.

Aktualisht ajo vuan dënimin, e akuzuar për veprime kundër sigurisë kombëtare dhe propagandë kundër shtetit.

Por as qelitë më të errëta të burgut famëkeq Evin në Teheran nuk e kanë shtypur zërin e saj të fuqishëm.

Në një regjistrim audio nga brenda Evin, Mohammadi dëgjohet duke drejtuar thirrjet “grua, jetë, liri” – slogani i kryengritjes së ndezur vitin e kaluar nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgim, e cila u arrestua pasi dyshohej se nuk e mbante siç duhet shaminë.

Një vit më parë, çmimi u nda mes tre emrash, ku fitues u shpallën aktivisti bjellorus Ales Bialiatski, organizata ruse e të drejtave të njeriut,Russian Memorial, si edhe Qendrës ukrainase për të Drejtat Civile.

Tre laureatët u zgjodhën për të nderuar “tre mbrojtës të shquar të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe bashkëjetesës paqësore në Bjellorusi, Rusi dhe Ukrainë”.

Çmimi Nobel për Paqen jepet në Oslo nga Komiteti Norvegjez i Nobelit, një organ i pavarur prej pesë anëtarësh i emëruar nga Parlamenti i vendit.

Ndryshe nga çmimet e tjera Nobel, ai për Paqen jepet në Norvegji dhe jo në Suedi ku lindi Alfred Nobeli, kimisti, sipërmarrësi dhe filantropi i njohur si shpikësi i dinamitit dhe krijuesi i çmimeve më të famshme në botë.

Ceremonia e shpalljes dhe e ndarjes së çmimit Nobel për Paqen mbahet në Oslo, sepse në kohën e dhënies së çmimeve Norvegjia ishte ende e bashkuar me Suedinë, përpara se të shpallej pavarësia në vitin 1905.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore