Lajme

Latifi prezanton disa nga masat anti-COVID, vaksinimi prioritet


Rifat Latifi

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në një konferencë për media gjatë ditës së diel ka bërë të ditur se situata epidemiologjike në Kosovë edhe pse me një numër të madh të vaksinimit të qytetarëve të Kosovës, vazhdon të jetë në rrezik, kjo për shkak se është zbuluar edhe një varianti i ri i COVID-19, Omicron.

Për këtë arsye Latifi, ka prezantuar disa nga masat që do të hynë në fuqi për të parandaluar më tej përhapjen e virusit COVID-19, ku mes tjerash është vazhdimi i vaksinimit gjatë ditëve të vikendit në të gjitha qendrat e vaksinimit, duke filluar nga pesë dhjetori i këtij viti.

Sipas Latifit të gjithë personat që hyjnë në Kosovë duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit të plotë, ndërsa personave të vaksinuar me një dozë do t’iu kërkohet testi PCR negativ ose dëshminë që personi ka kaluar COVID-19.

“Nga tre janari për të hyrë në Kosovë do të duhet vetëm dëshmia e vaksinimit të plotë”, tha Latifi në një konferencë për media.

Sipas Ministrit të Shëndetësisë personat nën 12 vjeç do të lirohen nga kërkesa për vaksinim të plot si dhe personat që kanë vërtetim mjekësor për t’u mos vaksinuar.

“Personat e lartë përmendura” sipas Latifit “duhet të paraqesin testin PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë”.

Albin Kurti

Në anën tjetër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në të njëjtën konferencë së bashku me Ministrin Latifi, ka bërë të ditur se Kosova, mund të përballet me katër rreziqe për shkak të COVID-19.

“Së pari festat e fundvitit shoqërohen me ardhjen e një pjese të mërgatës nga jashtë, ky shtim në vendin tonë bashkë me grumbullimet e shumta e rritë dukshëm mundësinë e shpërndarjes”, ka thënë Kurti

“Së dyti situata epidemiologjike në Evropë vazhdon të jetë e rëndë sidomos në disa vende ku banojnë një numër i madh i mërgimtarëve si në Gjermani e Zvicër”, ka shtuar ai.

“Së treti Kosova ka shkallë më të ulët të vaksinimit se sa këto vende evropiane, që e bën një valë të re të infektimeve edhe më të mundshme e më të rrezikshme gjatë javëve në vijim. Dhe së katërti e më e rëndësishmja, ditëve të fundit është shfaqur një variant i ri i quajtur Omicron, që është përhapur të paktën në 38 vende të botës duke përfshire 18 vende evropiane”.

Sipas kryeqeveritarit, mjeti më i fortë dhe më efikas për të mbrojtur veten dhe të tjerët mbetet vaksinimi masiv.

“Për këtë arsye kemi marrë masa kufizuese edhe brenda vendit edhe në pikat kufitare duke marrë parasysh rreziqet e lartcekura”.

“Jemi vazhdimisht duke shqyrtuar të dhënat më të reja të dala nga institucionet botërore të shëndetësisë, mbi të cilat do të përditësojmë masat sa herë të ketë nevojë komfor situatës dhe shkallës së sigurisë. Në momentin e parë që rreziqet e lartpërmdenura zbuten, qeveria do të marrë vendim të menjëhershëm për lehtësim të masave kufizuese”, ka potencuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore