Lajme

Latifi për problemet e Kosovës në shëndetësi: Dikasteri është injoruar tash e disa vite


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka paralajmëruar se mund të largohet nga Qeveria e Kosovës në qoftë se ekzekutivi nuk i jep prioritet investimeve në sektorin e shëndetësisë.

Ai ka thënë se nuk do ta kishte pranuar pozitën e ministrit në rast se nuk do t’i premtohej mbështetje e madhe.

“Nëse kisha mendu që kjo qeveri nuk e ka prioritet shëndetësinë, unë sot nuk do të isha këtu. Por, nëse nuk do t’i jepet prioritet shëndetësisë, nëse shpërfillem nga qeveria, unë nuk e kam asnjë biznes me ndenjtë këtu. Por, unë nuk e kam këtë ndjenjë”, deklaroi Latifi.

Latifi bëri të ditur se shumë shpejt pritet të ndryshojë funksionimi i Qendrës Klinike Universitare (QKUK), e cila funksionon pa udhëheqësi që nga themelimi i saj, ai potencoi se do të caktojë udhëheqësit e QKUK-së.

“Dikasteri i shëndetësisë është injoruar tash e disa vite. Unë e kam shumë të paqartë se ne e kemi një qendër, QKUK-në, e cila jep shërbime terciare, dytësore e besa herë-herë edhe shërbime parësore, megjithatë ajo nuk ka udhëheqësi fare”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Latifi: Po punojmë në përmirësimin e infrastrukturës në spitale

Ministri po ashtu, tha se ka vizituar dy klinika në QKUK, ku është takuar me qytetarët që po marrin aty shërbime.

“Po punojmë në drejtime të ndryshme. Po punojmë në shumë rrugë që do të shndërrojnë Kosovën. Sa i përket legjislacionit kemi 6 ligje dhe 7-8 udhëzime administrative. Po punojmë në përmirësimin e infrastrukturës në spitale, nëse arrijmë me i përmirësu këto ne kemi bo një punë shumë të mirë”.

Ai tutje ka përmendur edhe vizitën që ka zhvilluar në klinikën e Onkologjisë, të mërkurën.

“Sot kam qenë për herë të parë në Onkologji. Onkologjisë i mungon stafi teknik. Qytetarët më thanë o ministër qe tri ditë s’kemi pas barna e sot kanë ardhur, disa më thanë qe disa pacientë nuk kanë ardhur terapi për shkak se kanë dëgju që s’ka barna”.

Kreu i këtij dikasteri në fjalën e tij tha se janë duke punuar që të rregullojnë gjendjen në Kujdesin Parësor Shëndetësorë në mënyrë që qytetarët të marrin shërbime më të mira.

Ndër të tjera, premtoi se do të angazhohen edhe më shumë në kujdesin parësor në shëndetësi.

“Ne po flasim për shtyllat e transformimit të shëndetësisë, po e marrim kujdesin parësor si gjyshen, kurrë nuk flasim mirë për gjyshen, por gjithë e respektojmë. Se kujdesi parësor është çështja me më rëndësi në shëndetësi. S’ka tjetër më me rëndësi, kujdesi parësor merret me preventivën e sëmundjeve, që ne këtu në Kosovë kemi veçmas nevojë me u marrë me të”, tha ai.

Latifi: Nuk kemi mundësi të krijojmë qendrën e traumës

Sa i përket qendrës së traumës, Latifi ka thënë se nuk kanë mundësi të krijojnë një qendër të tillë.

“Ne nuk kemi mundësi të krijojmë qendrën e traumës sepse është shërbimi i emergjencës. Po merremi me legjislacionin dhe mirëqenien e mjekëve. Neve na duhet të fillojmë procesin e akreditimit të spitaleve. Po punojmë edhe ndërtimin e infrastrukturës. Ne kemi obligim me u marr me shëndetësi dhe se kjo qeveri e ka bërë prioritet”.

Ai ndërtimin e Klinikës së Psikiatrisë në QKUK e krahasoi me ato që ka parë në Xhunglën e Amazonës.

“Kam vizituar spitale rajonale, shumë komuna, shumë QMF dhe s’kam mrri me i pa të gjitha. Kam qenë një ditë në psikiatri jo si pacient por si ministër, ju kisha lut të gjithë deputetëve shkoni në psikiatri. Shkoni si vrojtues si qytetarë, unë jam tmerru”.

“E kam dërgu një ekip të ushtrisë amerikane që me vlerësu gjendjen atje në mënyrë që me rindërtu atë ndërtesë. S’po flas keq për gjendjen e xhunglës së Amazonës, as për Peru e as për Brazil sepse vetëm në vende të tilla kam pa. Është çështje e menaxhmentit. Uji rrjedh nga tavani e bie afër rrymës e aty afër ka pacientë e punëtorë shëndetësorë”.

Ndërsa, ka paralajmëruar ndryshime serioze edhe në Bordin e Fondit për Trajtim Jashtë Vendit.

“Të gjitha këto që janë shfaqur në media janë shumë problematike. Nëse vetëm edhe një pacient paguan më shumë se sa që duhet, është problematike. Organet përkatëse do të merren me këtë çështje. Bordi i fondit do të ketë ndryshme serioze dhe nëse dikush e ka keqpërdorur pozitën do të përgjigjet”.

Latifi ka shtuar se, “unë jam tmerruar kur kam shkuar në këtë Fond dhe kam parë në oborr dy dyqane që merren me rekrutimin e pacientëve që i dërgojnë jashtë vendit”.

Në komisionin për Shëndetësi ai u shpreh se telashet janë krijuar nga vetë shteti. Është ankuar se s’ka kontrata me ndonjë vend tjetër ose spital për t’i bërë shërbimet që në vend nuk i bëjnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore