Lajme

Latifi: Nga pozita e ministrit të Shëndetësisë e kuptova se mund të kontribuoj “jashtë kafazit dhe teatrit politik”


Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, përmes një letër drejtuar kirurgëve të Kosovës sërish është deklaruar lidhur me dorëheqjen e tij nga pozita e ministrit të Shëndetësisë në muaj tetor të vitit 2022.

Latifi në këtë letër ka thënë se ka kuptuar se mund të kontribuojë më shumë në Kosovë “jashtë kafazit dhe teatrit politik”.

“Më pak se një vit më vonë, me shumë dhembje dhe zhgënjim të pa imagjinuar dhashë dorëheqje, ngase kuptova qartë se unë mund të kontribuoj shumë më tepër ‘jashtë kafazit dhe TEATRIT POLITIK”, ka shkruar ish ministri i Shëndetësisë.

Ai pjesën për të kontribuar në Kosovë e ka konsideruar si njërin ndër më të ndriturit.

“Sikurse të gjithë ju në botë, pra jashtë Kosovës, edhe unë tash e më shumë se 30 vjet kam jetuar dy jetë, atë profesionale në SHBA, përderisa gjithmonë në mendje kam qenë dhe jam në Kosovë. Në nëntor të vitit 2021 ndërpreva të gjitha gjërat që kisha ndërtuar me vite në SHBA, si Kryeshef dhe Drejtor i Kirurgjisë në gjithë rrjetin e 10 spitaleve në Westchester, New York”.

“Me vullnet e dëshirë shumë të madhe pranova ftesën t’i shërbej vendit dhe qytetarëve të Kosovës. Kjo pjesë e jetës sime do të jetë një nga më të ndriturat dhe më të rëndësishmet e jetës sime akademike, kombëtare dhe njerëzore”.

Ndër të tjera, ka shtuar se kirurgët shqiptarë dorëheqjen e tij nuk e kanë pritur në mënyrë pozitive.

“Ka pasur ndikim jo të mirë dhe ka qenë ‘dush i ftohtë’ në shpresat e shumicës, që menduan se më në fund do ta transformojmë dhe rivalizojmë shëndetësinë e Kosovës”.

“Edhe pse dhashë dorëheqje nga posti i Ministrit të Shëndetësisë, UNË dhashë premtimin dhe do e mbaj deri në fund, se nuk do të ndalem asnjëherë së ndihmuari Kosovën”, ka thënë ai në këtë letër.

Sipas tij, nuk duhet të ketë komoditet që të shkohet ngadalë në zhvillimin e shëndetësisë së Kosovës.

“Kjo do thotë se ne nuk kemi kohë për të humbur me ata që as nuk dinë as nuk donë ta zhvillojnë shëndetësinë e Kosovës. Nuk mund të vazhdojmë të bashkëpunojmë me “neokolonialistët mjekësor”, që kanë lëshuar rrënjë në forma të ndryshme në Kosovë, tash më shumë se dy dekada”.

“Për ta ndërtuar shtetin tonë duhet të kemi shëndetësi moderne, pa shëndetësi moderne nuk kemi liri të plotë dhe nuk kemi shtet funksional”, ka shkruar ai.

Kurse, për të arritur shëndetësia e Kosovës në shkallën e duhur ai ka përmendur se duhet të jenë të bashkuar.

“Për të arritur barazi profesionale kirurgjike, me kirurgjinë botërore, NE të gjithë bashkë, duhet të punojmë shumë më tepër dhe ta “duam vendin dhe kombin tonë shumë më shumë se që po e duam sot”.

“Duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të sillemi më përgjegjësi të madhe secili prej nesh, por gjithashtu, do të kërkojmë përgjegjësi nga secili. Dorëheqja ime ishte kërkesë e përgjegjësisë për secilin prej nesh. Nuk ishte dorëzim-përkundrazi, ishte dhe është drejtë realizimit të qëllimeve tona”, ka thënë Latifi.

Si erdhi Latifi në Kosovë?

Më 16 nëntor 2021, kryeministri Albin Kurti, kishte dalë vetë i dyti në konferencë për media. Në krahun e majtë të tij ishte një burrë, përgjithësisht i panjohur për gazetarët e pranishëm.

Sapo mori fjalën, kryeministri sqaroi se zotërinë, që gazetarët kishin përballë, e kishte emëruar ministër të Shëndetësisë. Vendimin e kishte nënshkruar pak para se të dilnin në konferencë.

Për disa minuta ai ravijëzoi rrugëtimin akademik të njeriut të cilit ia kishte besuar shëndetësinë kosovare. Por, për 41 minuta, sa zgjati konferenca, foli për pothuaj gjithçka tjetër, përveç problemeve të shëndetësisë dhe planeve eventuale për t’i zgjidhur ato.

Ish ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ministri i sapoemëruar, ndërkaq, në fokus kishte “mbajtjen dhe kthimin e trurit” në Kosovë.

“Vetëm fakti se unë kam ardhur këtu, prej një rehatie amerikane, prej një pune shumë të mirë, është sinjal i fuqishëm besoj, që edhe të tjerët të na bashkohen në këtë kthim në Kosovë”, kishte thënë Latifi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetares së Euronews Serbia, nëse ai si ministër i sapoemëruar kishte ndonjë strategji për ta parandaluar ikjen e doktorëve nga Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore