Kosova

Latifi liston defektet e sistemit shëndetësor: “Mungesa e aftësive menaxheriale”, “buxheti i vogël”, “mungesa totale e investimeve kapitale”


Rifat Latifi

Për ish-ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, vendimi për të dhënë dorëheqje nga ky dikaster pa mbushur 1 vit në krye ka qenë vendimi “më i vështirë i jetës së tij”.

Kështu të paktën ka shkruar ai në raportin në të cilën ka listuar punën që ka bërë dhe defektet që ka evidentuar në këtë Ministri.

Latifi ka thënë se dorëheqjen e ka dhënë pas shumë reflektimesh në muajt e fundit sa ka qenë ministër, derisa ka falënderuar të gjithë për përkrahjen.

Edhe pse nuk do të jetë më në krye të ministrisë së Shëndetësisë angazhimi i Latifit do të vazhdojë si “ambasadori i Kosovës për të avancuar shëndetësinë”.

Ish-ministri përpos se ka folur për arsyet që çuan deri në vendimin për të dhënë dorëheqje ka drejtuar akuza ndaj strukturave brenda Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Sipas tij dy këto institucione udhëhiqen nga njerëz që kanë mungesë totale të aftësisë menaxheriale.

“Mungesa e profesionalizmit administrativ në Ministrinë e Shëndetësisë, të shtresuar ndër vite, që për rezultat ka sjellë keq menaxhime të mëdha dhe procedura arkaike të dizajnuara për të penguar zhvillimin e shëndetësisë së Kosovës dhe menaxhim diktatorial i administratës, që ka krijuar një atmosferë toksike në raport me kabinetin tim”, ka shkruar Latifi në një raport të bërë nga vet ministri për sfidat dhe të arriturat e tij gjatë periudhës sa ishte ministër.

Ai përpos këtyre dy institucioneve në mënyrë të tërthortë ka shprehur indinjatën e tij edhe ndaj Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij buxheti i vogël në shëndetësi dhe mungesa e projekteve kapitale për vitin 2022 janë disa nga shembujt e neglizhencës në këtë sektor.

Më 6 tetor ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi pas 11 muajve angazhim ka dhënë dorëheqje nga kabineti qeveritar.

Largimi i Latifit vjen pas kritikave të shumta ndaj tij në menaxhimin e shëndetësisë.

Latifi është ministri i dytë i larguar nga kjo pozitë gjatë kësaj qeverisje. Para tij ishte Arben Vitia i cili kishte dhënë dorëheqje për t’u fokusuar në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Rifat Latifi dhe Albin Kurti

Si erdhi Latifi në Kosovë?

Më 16 nëntor 2021, kryeministri Albin Kurti, kishte dalë vetë i dyti në konferencë për media. Në krahun e majtë të tij ishte një burrë, përgjithësisht i panjohur për gazetarët e pranishëm.

Sapo mori fjalën, kryeministri sqaroi se zotërinë, që gazetarët kishin përballë, e kishte emëruar ministër të Shëndetësisë. Vendimin e kishte nënshkruar pak para se të dilnin në konferencë.

Për disa minuta ai ravijëzoi rrugëtimin akademik të njeriut të cilit ia kishte besuar shëndetësinë kosovare. Por, për 41 minuta, sa zgjati konferenca, foli për pothuaj gjithçka tjetër, përveç problemeve të shëndetësisë dhe planeve eventuale për t’i zgjidhur ato.

Ministri i sapoemëruar, ndërkaq, në fokus kishte “mbajtjen dhe kthimin e trurit” në Kosovë.

“Vetëm fakti se unë kam ardhur këtu, prej një rehatie amerikane, prej një pune shumë të mirë, është sinjal i fuqishëm besoj, që edhe të tjerët të na bashkohen në këtë kthim në Kosovë”, kishte thënë Latifi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetares së Euronews Serbia, nëse ai si ministër i sapoemëruar kishte ndonjë strategji për ta parandaluar ikjen e doktorëve nga Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore