Lajme

Largimi i mjekëve nga Kosova, Kurti: Shifrat po fryhen, realiteti është ndryshe  


Albin Kurti

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, fenomeni i largimit të mjekëve nga Kosova, nuk është ashtu siç po proklamohet me pompozitet nga disa individë.

Sipas tij shifrat dhe përshtypja që po krijohet janë më të fryra se sa realiteti, kur fjala bie për largimin e profesionistëve shëndetësor.

“Nuk po them që ka mjek që nuk po shkojnë, mirëpo nuk mendoj që është në rregull që çdo e dyta fjali në shëndetësi të jetë për mjekët që po shkojnë sepse nuk reflekton realitetin”, ka thënë Kurti në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, sipas të parit të ekzekutivit po angazhohet për t’i mbajtur punëtorët shëndetësor në vendet e tyre të punës.

“Një pjesë e tyre kalojnë edhe në sektorin privat, disa shkojnë jashtë vendit, megjithatë besoj që shifrat edhe përshtypja që krijohet janë më të fryrë se sa realiteti. Spitalet, qendrat e mjekësisë familjare janë të mbushur me mjek të devotshëm”, ka shtuar ai.

Përpos kësaj sipas Kurtit zgjidhja është edhe kthimi i mjekëve të cilët janë larguar.

“Ne besojmë që zgjidhje nuk është vetëm duke provuar që ta ndalosh dikë që të shkojë, por të përpiqesh që t’i kthesh ata që kanë shkuar sepse unë besojnë se është e mundshme një gjë e tillë. Nëse përjetojmë një gjendje të panikut ku e konsiderojmë fatale shkuarjen e dikujt, do ta kemi të vështirë ta kthejmë”.

Kryeministri më tej u ka bërë thirrje mjekëve që kontributin e tyre të vazhdojnë ta japin në sektorin publik, duke deklaruar se mjekët që vendosin të punojnë vetëm në sektorin publik do të kenë shtesë të veçantë të pagës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore