Kosova

Largimi i masave të BE-së dhe dialogu, çështje diskutimi mes Osmanit dhe ambasadores greke


Presidentja Vjosa Osmani dhe ambasadorja greke Heleni Vakali.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të premten ka pritur në takim ambasadoren greke Heleni Vakali, me të cilën ka diskutuar për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe procesin e dialogut.

Takimin e ka bërë të ditur Zyra e Presidencës, përmes një komunikate për media.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, procesin e dialogut Kosovë-Serbi si dhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Greqisë në sfera të interesit të ndërsjellë”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, çështje e diskutimit ka qenë edhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidentja Osmani foli edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili është në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim. Tutje, Presidentja ritheksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog”.

Ndryshe prej pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës (Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qipro), shteti grek ka luajtur rolin më bashkëpunues diplomatik, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, rritur nivelin e tregtisë dhe duke dërguar e pritur delegacione qeveritare.

Kërkesa e Kosovës për njohje ekziston në Athinë prej shumë vitesh.

Qeveria e Greqisë gjithashtu është treguar mjaft e hapur për bashkëpunim, duke pritur delegacione kosovare dhe duke bërë shpesh vizita zyrtare në Prishtinë.

Çështja e Kosovës ngritet shumë shpesh në agjendën e politikës së jashtme greke.

Greqia ka qenë për një kohë të gjatë “mosnjohëse e butë” – përderisa nuk ka lëvizur drejt njohjes aktuale, ajo ka qenë mjaft e ngrohtë dhe konstruktive ndaj Kosovës në aspektin praktik. Madje,  ajo ka zhvilluar marrëdhënie më të afërta me Kosovën në krahasim me shumë shtete njohëse.

Abstenimi i Greqisë në Këshillin e Evropës (KiE), kur Komiteti i Ministrave votoi pro vendimit që t’ia përcjellin Asamblesë Parlamentare (APKE) kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në organizatë, konfirmoi se Greqia është shtet me qëndrim “më të butë” krahasuar me shtetet e tjera mosnjohëse brenda BE-së dhe NATO-s.

Vlen të theksohet se edhe gjatë luftës së Kosovës dhe gjatë Konferencës e Paqes në Rambuillet të Francës, roli i diplomacisë greke ishte aktiv dhe ekuilibrues. Megjithatë, përpos në raport me pavarësinë e Kosovës, diplomacia greke është përballur në Ballkanin Perëndimor edhe me një çështje tjetër, atë të emrit të Maqedonisë së Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore