Kosova

Largimi i barrikadave, Tajani: Rezultat i koordinimit BE-SHBA-KFOR


Antonio Tajani

Për ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, heqja e barrikadave në Veri të Kosovës është ekskluzivisht rezultat i punës së bërë me sinergji në mes të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, gjegjësisht KFOR-it.

Serbët të enjten kanë nisur largimin e barrikadave në mënyrë graduale pasi njëra ndër kushtet e tyre, e cila ishte lirimi nga paraburgimi i ish-policit të Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, u plotësua.

Prandaj, kryediplomati italian, ka kërkuar që tashmë të dyja palët, Kosova dhe Serbia pas de-përshkallëzimit të situatës në këtë pjesë të vendit të fokusohen në dialog.

“Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë duhet të punojnë për të forcuar dialogun nën patronazhin e BE-së. Italia do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj”, ka shkruar Tajani në rrjetin e tij social në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore