Sport

Lara Colturi, italiania që bëri Shqipërinë kampione bote


Si për ironi të fatit, Shqipëria, një vend që nuk ka pista profesionale skish, fiton medalje të artë në një kampionat botëror.

Kur Lara Colturi vendosi të përfaqësonte Shqipërinë, në Itali ishin të “shokuar”, pasi ata humbën atë që e cilësonin “një nga talentet më të mira të skijimit blu”.

Megjithatë, kundërpërgjigja e nënës së saj, Daniela Ceccarelli, një kampione olimpike italiane në vitin 2002 ishte aty për aty. “Nuk është një tradhti ndaj vendit, por një zgjedhje teknike”.

Atë që nuk ia ofroi shteti mëmë, ia ofroi Shqipëria.

“Ne e morëm vendimin së bashku dhe është një situatë që i plotëson plotësisht nevojat tona. U ndjeva si familje. Ata (në Shqipëri) kanë shumë entuziazëm, ndoshta sepse është një realitet i ri”, shpjegoi Ceccarelli për mediat italiane.

Vendimi për të përfaqësuar Shqipërinë erdhi në majin e 2022, kur Lara u pajis me pasaportë shqiptare. Këtu tregohet një prapaskenë nga Italia, pas një krisje të marrëdhënieve mes federatës atje dhe prindërve të Colturi-t, që çoi në këtë vendim.

Por, ajo që ka rëndësi tanimë është që skiatorja është kuqezi dhe së fundmi u shpall kampione bote në Kampionatin Botëror të Skive për Moshat (U-21) që po zhvillohet në St. Anton am Arlberg të Austrisë.

Në garën e femrave, Colturi është fituesja më e re e medaljes së artë në një kampionat botëror të skive për të rinj, vetëm 16-vjeçe.

Një arritje e jashtëzakonshme për një vend si Shqipëria, që realisht nuk e ka të zhvilluar një sport të tillë dhe mbi të gjitha ka mungesë pistash skijimi.

Dy pistat e skive që janë aktualisht në Shqipëri, në Pukë dhe Dardhë, në Korçë, janë vetëm për sportistët jo profesionist. Për amatorët që dashurojnë këtë sport.

Federate Shqiptare e Skive në munges të një vendi për të organizuar një turne madhor në Shqipëri në këtë sport, ka zgjedhur Kronplatz-in, i cili ndodhet në Dolomite në Italinë e veriut.

“Skitë janë një sport shumë elitar dhe është një kulturë e re që ne po përpiqemi ta edukojmë. Për të pasur pista në Shqipëri, ka vende të mrekullueshme si në Shishtavec dhe në Korçë, themi se një ditë të afërt do ja dalim që të kemi garat tona në vendin tonë”, u shpreh Elvis Toçi, kreu i Federatës Shqiptare të Skive para gati dy vitesh. Megjithatë, ende sot e kësaj dite nuk ka një zhvillim në këtë drejtim.

Teksa Shqipëria është e vetëdijshme se po shijon një moment të veçant në këtë sport, pas triumfit të Larës, duket se Federata e Skive është ende në gjumë, në aspektin e promovimit të ngjarjes.

Në një moment kur mediat, faktori politik dhe shumë njerëz të sportit dhe jo vetëm në vend i bënë jehonë medaljes së artë të Colturi-t në Austri, Facebook-u zyrtar i federatës është në “gjumë letargjik”. Prej tyre nuk ka asnjë postim për arritjen e skiatores që është pjesë e tyre. Madje kanë ngelur ende në vitin 2022.

Ndryshe veproi Komiteti Olimpik Shqiptar (KOKSH), i cili vitet e fundit ka hyrë në një rrugë të re zhvillimi. Dhe ishte ai që sinjalizoi se Shqipëria kishte shtuar një medalje të artë në gjirin e saj.

Përsa i përketë faktorit politik, ata janë gjithmonë aty kur ka arritje. Me mediat e tyre sociale të gatshme për të shprehur zellin e një triumfi, që në realitet ndikimin nga ata e ka zero.

Lara Colturi, Foto: KOKSH

Shqipëria po merr fryte në sporte të ndryshme edhe pse nuk ka investuar. Kush do e kishte menduar se pas triumfit të Zelimkhan Abakarov (rus i natyralizuar në shqiptar) në Kampionatin Botëror të Mundjes në Beograd, Serbi, Lara dhe skijimi do ishte e radhës.

Mirëpo, nëse duam që të ecim me këto ritme dhe medaljet të shtohen, duhet të fillohet me investime. Një pist skish me standarde ndërkombëtare duhet të jetë e para në mendjen e Qeverisë shqiptare, pasi federata e ka të pamundur me fuqinë që ka.

Dhe nëse nuk levizen gurë në këtë drejtim, nuk do të jetë e largët dita kur të përballemi përsëri me ikjen e sportistëve elitarë. E kemi provuar në të kaluarën dhe nuk do ishte çudi nëse ndodh përsëri. Ndaj ka ardhur koha për veprim.

Lara triumfoi, në fakt ka disa triumfe nën flamurin e Shqipërisë, por nëna e saj, Daniela nuk ia ka mbyllur plotësisht derën përfaqësimit të Italisë në të ardhmen.

“Sigurisht që ndihemi italianë, kemi pasaportë italiane dhe është një hap që nuk e përjashtojmë”, theksoi Daniela disa muaj më parë.

Colturi është ambasadore e Lojërave Olimpike Milan-Cortina 2026. Por, ajo do e bëjë këtë gjë nën gjyrat kuqezi, ose të paktën kështu duket deri më tani.

Shqipëria ka në dorë një “xhevahir” shumë të madh. Por duhet të dij ta mbaj. Ajo mund të jetë një “Alberto Tomba i ri”.

Për të gjithë ata që nuk e njohin, “Tomba la Bomba” është një legjend e padiskutueshme në sportin e skijimit. Italiani ka pesë medalje olimpike, tre prej të cilave të arta. Gjithashtu ai lënë gjurmë edhe në Kampionatin Botëror të Skive Alpine 1995 ku fitoi titullin e përgjithshëm.

Kush është Lara Colturi?

Colturi nuk ka rrënjë shqiptare. Ajo është vajza e kampiones së artë olimpike, Ceccarelli, e cila triumfoi në Salt Lake City 2002 dhe konsiderohet si sportistja më e fortë e brezit të saj. Lara është gjithashtu vajza e Alessandro-s, një trajner kombëtar skish në Itali.

Nëna e Larës, Daniela fillimisht trajnoi disa sportist të rinj shqiptarë të cilët u shpërngulën në rajonin e Piemonte. Më pas ajo u bë drejtore teknike e kombëtares kuqezi, ku së bashku me vajzën e saj vendosën që Lara të përfaqësonte ngjyrat kuqezi.

Zgjedhja e saj për të përfaqësuar Shqipërinë është shoqëruar me pakënaqësi në Itali, megjithatë kjo nuk e ka ndaluar atë që të vazhdojë ëndrrën e saj.

Lara bëri debutimin e saj në gjigantin e Solden, të shtunën e 22 tetorit 2022. Dhe aty ajo shënoi një rekord si skiatorja më e re në Kupën e Botës, 15 vjeçe, 11 muaj dhe 9 ditë.

16-vjeçarja është zhvilluar teknikisht në “Ceccarelli Golden Team”, shkollën e skive të drejtuar nga prindërit e saj. Që e vogël është trajnuar me programe specifike për t’u përgatitur për nivelin e lartë, teksa në nivelin e të rinjve ajo fitoi gjithçka.

Fituesja e “Pinocchio sui Sci”, një konkurs tradicional që bashkon premtime të mëdha ndërkombëtare, ishte shpresa e madhe e Italisë për t’u përfaqësuar në Kupën e Botës së Skive Alpine.

Por, Colturi zgjodhi Shqipërinë, pasi ka pasaportë shqiptare për shkak të nënës së saj, e cila mori nënshtetësinë për të qenë në gjendje të stërviste kombëtaren kuqezi.

Në verën e 2022 ajo hyri në skenën “big” (garat e FIS), me një udhëtim të gjatë mes Kilit dhe Argjentinës, ku u përballë për herë të parë me ata që ishin pjesë e elitës së skive.

Arritjet e Larës nën flamurin kuqezi

Në verën e vitit 2022 Colturi bëri debutimin e saj në garat FIS. Skiatorja arriti rezultatin më të lartë në “El Colorado Women Giant Slalom” (Kili) më 28 korrik 2022, duke u renditur e para, me kohë të përgjithshme 1:47:12.

Më 9 gusht 2022, ajo garoi në Argjentinë në “Cerro Catedral” dhe zuri vendin e parë. Të njëjtin rezultat të lartë e arriti dy ditë më pas në të njëjtën ngjarje sportive.

Teksa, më 27 gusht 2022, zuri vendin e parë në Kili në “El Colorado”, në disiplinën e slalomit gjigand.

Në shtator 2022, Lara ka arritur të fitojë matematikisht Kupën e Amerikës Latine, SAC.

Më 19 nëntor 2022, me rastin e fillimit të Kupës Botërore të Skive Alpine, Lara bëri debutimin e saj në sllallomin e Levi, Finlandë, duke humbur kualifikimin për ndeshjen e dytë për vetëm 0.08 sekonda.

Megjithatë një javë më vonë në sllallomin gjigand ajo e mbylli garën në vendin e 17-të duke fituar pikët e para në Kupën e Botës së Skive Alpine.

Së fundmi, në janar 2023, Colturi nderoi edhe një herë flamurin kuqezi. Më 19 janar ajo u shpall fituese në U18 në Downhill.

Skiatorja e natyralizuar në shqiptare, të premten e 20 janarit triumfoi në Kampionatin Botëror të Skive për Moshat që po zhvillohet në St. Anton am Arlberg të Austrisë. Ajo shënoi kohën 1:01.64 duke lënë pas zviceranen Grob dhe gjermanen Aicher, duke shkëlqyer midis 37 konkurentëve.

Colturi është fituesja më e re e medaljes së artë në një kampionat botëror të skive për të rinj.

Lara do të garojë edhe në kategorinë Gjigand të Skive Alpine, në datë 21 janar dhe më pas do t’i drejtohet Kronplatzit për ndalesën e rradhës në Kupën e Botës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore