Shqipëria

“Lapsusi” i CNN, vendos Shqipërinë dhe Kosovën mes vendeve që nuk kanë sanksione ruse


Multimediali amerikan “CNN” ka regjistruar një lapsus gjatë transmetimit të emisionit të gazetarit indiano-amerikan Fareed Zakaria.

Kjo, duke vendosur Shqipërinë dhe Kosovën mes vendeve që nuk e kanë sanksionuar Federatën Ruse pas fillimit të luftës në Ukrainë më 24 shkurt.

Zakaria kishte të ftuar për një intervistë ekskluzive Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, Jake Sullivan.

Autori i emisionit e pyeti Sullivan-in pse kaq shumë vende – veçanërisht në Jugun Global – nuk janë me Perëndimin në mbështetjen e Ukrainës.

Ndërkohë, më herët kishte shfaqur një hartë të vendeve që nuk kanë sanksione ruse me ngjyrë të kuqe përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

Kujtojmë që, Kosova u bë vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që iu bashkua sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së ndaj Rusisë.

Qeveria e Kosovës më 16 maj të vitit 2022 gjithashtu vendosi të zgjerojë sanksionet kundër Rusisë.

Autoritetet vendosën të përfshijnë ngrirjen e pasurisë së personave të sanksionuar, ndalimin e udhëtimit të tyre dhe lëvizjen e pasurisë së tyre jashtë Kosovës.

Tre ditë pas fillimit të luftës, Shqipëria iu bashkëngjit të gjitha sanksioneve të aleatëve perëndimorë ndaj Rusisë, “qofshin ato të përgjithshme apo individuale”.

Autoritetet vendosën mbylljen e hapësirës ajrore për operatorët rusë, Shqipëria nuk do të merrte pjesë në aktivitete sportive, ku bëhet fjalë me përballje ndaj Rusisë dhe do të ndalohej udhëtimi në territorin shqiptar për personat e listuar nga BE-ja, diplomatë e zyrtarë.

Masat do të zbatoheshin fillimisht për 654 individë dhe 52 subjekte. Sanksionet ekonomike prekën tregun financiar, energjetik, atë të transportit dhe teknologjik.

Në sektorin e energjisë u ndalua shitja, furnizimi, transferimi ose eksportin në Rusi i mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës dhe u vendosën kufizime në ofrimin e shërbimeve përkatëse.

Në sektorin e transportit u ndalua eksporti, që mbulon mallrat dhe teknologjinë në industrinë e aviacionit dhe hapësirës, si dhe u vendos një ndalim për ofrimin e shërbimeve të sigurimit dhe risigurimit dhe mirëmbajtjes në lidhje me ato mallra dhe teknologji.

Në sektorin e teknologjisë u vendosën kufizime të mëtejshme për eksportet e mallrave dhe teknologjisë me përdorim të dyfishtë, si dhe kufizime në eksportet e mallrave dhe teknologjisë së caktuar, të cilat mund të kontribuonin në përmirësimin teknologjik të Rusisë në sektorin e saj të mbrojtjes dhe sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore