Lajme

Lapsi ‘i dhuruar Hitler-it nga Eva Braun’ mund të arrijë në 80 mijë paund në ankand


Një laps i veshur me argjend, që supozohet se i përkiste Adolf Hitler-it, do të dalë në shitje në Belfast muajin e ardhshëm.

Ai vlerësohet të shitet nga 50 mijë deri në 80 mijë paund.

Besohet të ketë qenë një dhuratë për ish-diktatorin nazist nga partnerja e tij Eva Braun për ditëlindjen e tij të 52-të më 20 prill 1941.

Lapsi, i blerë fillimisht nga një koleksionist në një ankand në vitin 2002, ka një mbishkrim në gjermanisht, që përfundon me “Eva” dhe ka inicialet “AH”.

Shitja e artikujve historikë me gamë të gjerë në Bloomfield Auctions në Belfast-in lindor më 6 qershor do të përfshijë gjithashtu një fotografi origjinale të nënshkruar të Hitler-it dhe një falje të rrallë të shkruar me dorë nga Mbretëresha Viktoria e datës 1869 për rebelët irlandezë të dënuar për tradhti.

Karl Bennett, drejtor menaxhues i shtëpisë së ankandeve, ka treguar se pret interes nga e gjithë bota.

“Rëndësia e lapsit personal të gdhendur të Hitler-it qëndron në faktin se ai ndihmon në zbulimin e një pjese të fshehur të historisë, duke dhënë një pasqyrë unike në marrëdhëniet personale të Hitler-it, të cilat ai i mbajti të fshehura në mënyrë skrupuloze nga syri i publikut”, ka thënë ai.

“Pjesa më e madhe e apelit personal të Hitler-it gjatë diktaturës së tij buronte nga identiteti i tij i ndërtuar me kujdes si babai i kombit gjerman, i cili hodhi poshtë lidhjen personale në favor të besnikërisë ndaj vendit të tij”.

Ndaj kjo shenjë dashurie e një lapsi të personalizuar nga Eva në ditëlindjen e tij, sipas tij, ndihmon në zbulimin e mashtrimit pas fasadës publike të Hitler-it.

Bennett ka treguar se kërkimi dhe diskutimi i kujdesshëm me shitësin e artikujve rreth vendit ku është marrë artikulli “më jep besim se ajo që po u them njerëzve që po shes është artikulli aktual”.

Dhe se mund të tregojë pse njerëzit mund të kenë rezerva për shitjen dhe mbledhjen e sendeve që i përkasin diktatorit.

“Por për mua, si një koleksionist i nivelit të lartë të artikujve të ushtrisë, ata ruajnë një pjesë të së kaluarës sonë dhe duhet të trajtohen si objekte historike, pa marrë parasysh nëse historia, të cilës ata i referohen ishte një nga më të errëtat dhe më të diskutueshmet në historinë e regjistruar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore