Shqipëria

Lapid jep dritën jeshile, Izraeli do të ndihmojë Shqipërinë kundër Iranit


Pamje nga takimi mes kryeministrit, Edi Rama dhe homologut izraelit, Yair Lapid

Izraeli do ta ndihmojë Shqipërinë në luftën kibernetike kundër Iranit, pasi te ky i fundit sheh një armik të përbashkët të sigurisë publike.

Është ky rezultati më konkret i vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Jerusalem, ku ka takuar jo vetëm homologun e tij izraelit, Yair Lapid, po edhe zyrtarë të lartë të shtetit hebre në çështjet e sigurisë kibernetike.

Izraeli është prej vendeve më të zhvilluara në teknologjinë e informacionit dhe luftën kibernetike ndaj Iranit, e ka filluar që në vitet e hershme 2000.

“Teherani përfaqëson një kërcënim të përbashkët për Shqipërinë dhe Izraelin”, theksoi Lapid gjatë takimit me kryeministrin Rama, siç raportojnë media lokale izraelite. “Këtë gjë e kemi parë edhe në sulmet e fundit, që Irani ka ndërmarrë kundrejt Tiranës, duke shkaktuar shqetësime”.

Ai garantoi se vendi, të cilin e përfaqëson, do ta ndihmojë Shqipërinë në çdo gjë të nevojshme të aspektit të sigurisë kibernetike, jo vetë si pjesë e një interesi kombëtar të Izraelit, por edhe në shenjën e një përgjegjësie historike ndaj shqiptarëve, duke sjellë në kujtesë strehimin që këta të fundit i bënë hebrenjve, të cilët në vitet 40’ kërkuan t’i shpëtonin regjimit nazist.

Çështje të tjera u trajtuan po ashtu në tryezë, si zgjerimi i turizmit apo shkëmbimeve tregtare.

Nga ana e Qeverisë shqiptare ende nuk ka detaje konkrete mbi takimin, ku shihet qartë nga transkripti i mediave izraelite se ka pasur zhvillime pozitive për Tiranën.

Në bazë të agjendës, përtej takimit me Lapid, kreu i Qeverisë pritet të takojë edhe presidentin Isaac Herzog, kryetarin e Parlamentit, Mickey Levy dhe liderin e opozitës Benjamin Netanyahu.

Rritja e numrit të sulmeve kibernetike që po kryhen nga Irani kundër Shqipërisë ka çuar në tensione mes dy shteteve, ku Tirana i ndërpreu marrëdhëniet me Iranin në shtator.

Konkretisht më 7 shtator, qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike.

Asokohe, lajmi u bë i ditur nga vetë Rama, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Kjo pasi, sipas kreut të qeverisë, Irani ishte përgjegjës i sulmit kibernetik që shkatërroi të dhënat e qeverisë shqiptare dhe mbylli shërbimet.

Irani dënoi “pretendimet e pabaza” të Shqipërisë dhe e cilësoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike si të pamenduara dhe dritëshkurtëra.

Ndërsa, mbrëmjen e 10 shtatorit sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit u gjendën nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik.

Rama, tha se nga të dhënat paraprake rezultonte se sulmi shte kryer nga e njëjta dorë, pra Irani.

Shqipëria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit

“Ekspertët tanë bashkë me ata të vendeve tona partnere kanë punuar intensivisht prej momentit të parë kur është detektuar sulmi, për të garantuar së pari pacenueshmërinë e të dhënave dhe më pas neutralizimin e këtij akti kriminal”.

Sistemi i menaxhuar i kontrollit të kufijve, TIMS, prej vitesh po përdoret në Shqipëri.

Ai bën të mundur që asnjë person me precedentë penal, apo i dënuar nga autoritete shqiptare dhe të huaja të depërtojë në Shqipëri dhe të dalë jashtë saj.

Kjo, pasi të gjitha pasaportat përpunohen në këtë sistem që ka të integruar databazën për të gjithë shtetasit si dhe të gjitha informacionin e sistemit të Interpolit.

Rama shpjegon për “Washington Post” se pse i ndërpreu marrëdhëniet me Iranin pas sulmit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore