Lajme

Lamtumirë me… stil


Nga petullat te Star Trek dhe anije me vela, një kompani me bazë në Auckland, Zelandë e Re, prodhon tabute me porosi, siç nuk i keni parë kurrë më parë.

Dying Art bën tabute unike, me porosi, tek të cilat njerëzit pasqyrojnë dashurinë e tyre për makinat e zjarrfikëses, petullave ose formueseve Lego.

Pronarit dhe themeluesit, Ross Hall, i lindi ideja 15 vite më parë, ndërsa shkroi testamentin e tij.

“Një nga gjërat që më erdhi në mendje, është se nuk doja të dilja në një arkivol ngjyrë kafe. Kështu që, mendova, ta shkruaj në testamentin tim se dua një arkivol të kuq me flakë”.

“Disa ditë më vonë, pyeta bashkëshorten: nëse dikush tjetër dëshiron diçka pak më ndryshe sesa një tabut klasik ngjyrë kafe? Ne u vështruam për disa çaste dhe e vendosëm”.

Ndonëse u dukej qesharake, vijuan me idenë. Gjashtë muaj më vonë, Hall solli disa modele të ndryshme.

“Unë bëra 20 dizajne të ndryshme dhe shkova te drejtorët e funeraleve me një broshurë të vogël dhe të gjithë menduan se isha i çmendur”.

Por ideja dalëngadalë u përthith dhe tani, brenda disa javësh, ata mund të marrin deri në pesë porosi për tabute të personalizuara.

Kostoja e arkivoleve ndryshon në varësi të kompleksitetit të dizajnit, por Hall nuk i ka hyrë kësaj pune për përfitim. Përkundrazi, ai tha se ka të bëjë me lumturinë e njerëzve.

“Për mua, është kënaqësi e madhe kur lehtësoj paksa dhimbjen e një dite tragjike për familjet e të ndjerëve”.

Hall tha se ishte një ekip prej 15 personash që punonin në arkivole me porosi.

Tabutet marrin rreth katër orë për t’u shtypur dhe mbuluar dhe për një punë më të ndërlikuar mund të duhen disa ditë.

Pasi arkivoli “përdoret” në varrim, ai digjet ose varroset me personin.

Përshtatur nga New Zealand Herald për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore