Sport

Lampard është afër shkarkimit nga stoli i Everton-it


Humbja e fundit me rezultat të thellë, 1:4 ndaj Brighton-it, e ka vënë në rrezik të ardhmen e trajnerit të Everton-it Frank Lampard.

Humbja në shtëpi ishte një rezultat zhgënjyes, derisa tani Everton-i numëron shtatë ndeshje mes kampionatit dhe kupës pa shijuar sukses.

Në fakt, skuadra nga qyteti i Liverpool-it, fitoren e fundit e kishte shënuar më 22 tetor ndaj Crystal Palace.

Tani e ardhmja e trajnerit 44-vjeçar është e pasigurt, pasi ai dhe ekipi i tij po rrezikojnë rënien nga elita e futbollit anglez dhe Everton tani është një prej skuadrave që llogaritet që në pjesën e dytë të sezonit të luajë për mbijetesë.

Pas 18 javësh “Blutë” numërojnë 15 pikë, me tre fitore, gjashtë barazime dhe nëntë humbje dhe kanë sulmin e katërt më të dobët në Premier Leauge.

Ish-trajneri i Chelsea-t mori drejtimin e skuadrës më 22 janar dhe deri më tani numëron 41 ndeshje në të gjitha kompeticionet me 12 fitore, tetë barazime dhe 21 humbje.

Ndeshja e ardhshme përballë Southampton-it, (pozicionohet në vendin e fundit) shihet si mundësia e vetme që Lampard ka për të mbajtur vendin e punës dhe pse më parë Everton do luajë ndaj Manchester United në FA Cup.

Kujtojmë që kjo është eksperienca e dytë e Lampard në punën e trajnerit, pasi që më parë e kishte drejtuar Chelsea-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore