Lajme

Lajmërohet Mujka i dyshuar për korrupsion: Po shfrytëzohem për t’u sulmuar e baltosur puna e Kurtit


Ish-nënkryetari i Mitrovicës së Jugut dhe ish-zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Faruk Mujka, i cili u arrestua tri ditë më parë si i dyshuar për korrupsion gjatë kohës sa ushtronte detyrën e nënkryetarit në vitin 2021, ka thënë se prejse është pjesë e aktiviteteve politike nuk i ka ikur përgjegjësisë e drejtësisë.

Por, ai thotë se është prangosur pasi pretendon se po tentohet për t’u baltosur puna dhe sukseset e Qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti.

“Asnjëherë nuk do të pranoj të jem pre e politikave ditore e partiake dhe që unë të shfrytëzohem për t’u sulmuar e baltosur puna dhe sukseset e Qeverisë në përgjithësi dhe posaçërisht Kryeministrit në veçanti”, ka shkruar ai në Facebook.

Mujka ka theksuar po ashtu se rruga “që kemi marr është e gjatë, tepër e vështirë me shumë sfida”, derisa ka shtuar se “po shihet caku”.

“Shumë vetë do të ndihen të turpëruar por mbi të gjitha edhe të çliruar nga puna e lodhshme e shërbyesit të djallit”.

Ndryshe, Prokuroria Speciale, ka konfirmuar se të premten janë kryer bastisje në dy lokacione të ndryshme më saktësisht në shtëpinë e kryeshefit ekzekutiv të Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci” dhe ish-nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faruk Mujkës dhe atë të ish-drejtorit të Komunës së Mitrovicës gjatë mandatit të kryetarit Agim Bahtirit, aktualisht këshilltarin e ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, Hysen Muzliukajt.

“Nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në këto dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve”, thuhet në komunikatë për media.

Gjatë bastisjes në njërin nga lokacionet, siç tregon Prokuroria Speciale, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma prej 60 mijë euro.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se në maj të vitit 2022 ka pranuar informacione, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut”.

Arrestohen dy zyrtarët e Vetëvendosjes – Prokuroria: “U gjetën edhe 60 mijë euro kesh”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore