Lajme

Lajçaku pret nga Bislimi e Petkoviçi të jenë “mendje hapur” në takimin që zhvillohet në fund të javës


Mirosllav Lajçak

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, tha se në fund të kësaj jave planifikohet të mbahet cikli i ri i negociatave për dinarin, ndërsa shtoi se pret nga të dyja palët që të jenë “mendje hapur” drejt zgjidhjes së përkohshme bazuar në propozimin e bllokut për zgjidhjen e nyjes.

“Në fund të kësaj jave, do të pres kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një raund tjetër bisedimesh për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Pres që të dyja palët të vijnë në takim me një mendje të hapur, fleksibilitet dhe një qasje të orientuar drejt zgjidhjes bazuar në idetë e paraqitura”.

Kosova dhe Serbia nuk arritën të pajtohen për çështjen e dinarit serb as në takimin e tretë që u zhvillua më 4 prill ndërmjet kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – ndërsa diplomati sllovak u shpreh se – megjithatë – palët janë afër gjetjes së zgjidhjes. Në fakt, ky do të jetë takimi i fundit për çështjen e dinarit serb.

Në takimin e fundit që kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë zhvilluan nën ndërjmetësimin e Lajçakut në Bruksel mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së BQK-së, nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb, palët nuk u pajtuan mbi kompromisin e propozuar për zgjidhje të “krizës së dinarit” nga BE-ja.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të palës kosovare, njoftoi pas takimit se Kosova e pranoi ofertën e Lajçakut për zgjidhje të problemit mbi dinarin serb, duke e konsideruar “propozim konstruktiv” që njëkohësisht është brenda Rregullores së BQK-së dhe në pajtim me legjislacionin e Kosovës për politikën monetare.

E përderisa u tha se pala kosovare e pranoi “propozimin konstruktiv” të Lajçakut, delegacioni serb në udhëheqjen e drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, nuk tregoi gatishmëri që të reflektojë dhe rrjedhimisht, refuzoi ofertën e Lajçakut për kompromis të negociuar, ndërsa kërkoi “kohë shtesë” për çështjen në fjalë.

Megjithatë, për shkak se palët nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e fundit, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë këtë javë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një zgjidhje në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore