Kosova

Lajçaku ka pritshmëri që çështja e dinarit zgjidhet në takimin e kësaj jave në Bruksel


I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka pritshmëri që në takimin e kësaj jave mes Kosovës dhe Serbisë të gjendet një zgjidhje për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Lajçak takimin e fundit e ka konsideruar si “të dobishëm”.

“Të dyja palët patën mundësinë t’i shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre. Në fund u konkludua se do të duhej edhe një tjetër takim. Të dy palët do të kthehen në Bruksel këtë javë dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të kapërcejmë hendekun e mbetur”, ka shkruar ai.

Një cikël i gjatë negociatash në Bruksel të Belgjikës për dinarin përfundoi – sërish – pa marrëveshje më 25 mars.

Në takimet që u zhvilluan ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç dhe Emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, palët nuk gjetën gjuhë të përbashkët.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit njoftoi para gazetarëve se asnjë marrëveshje për dinarin nuk është arritur, posaçërisht sepse palët janë ende shumë larg njëra-tjetrës.

Derisa shtoi se “ka nevojë edhe për një takim tjetër javën që vjen në nivel të kryenegociatorëve për të njëjtën temë”.

Në anën tjetër kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, pas takimit akuzoi palën kosovare se nuk është e gatshme për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit.

Megjithatë, Petkoviç theksoi se Serbia do të vazhdojë të negociojë për të ruajtur paqen dhe popullin serb në Kosovë të cilit sipas tij “po i shkelen të drejtat e njeriut”.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e fuqizoi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Kjo çështje, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore