Kosova

Lajçaku i gatshëm për një raund të ri të negociatave për dinarin nëse palët shprehin vullnet për marrëveshje


Mirosllav Lajçak

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, nëpërmjet një postimi në “Facebook” mbrëmjen e së dieles, tha se është i gatshëm për organizimin e një raundi të ri të negociatave për çështjen e dinarit nëse Prishtina dhe Beogradi tregojnë vullnet për arritjen e një marrëveshjeje përmes kompromosit të negociuar.

“Unë mbetem i gatshëm të pres një takim tjetër për këtë temë, por me kusht që palët të tregojnë gatishmëri të vërtetë për të arritur një marrëveshje”, shkroi diplomati sllovan në përmbledhje të aktivitetit diplomatik gjatë javës, derisa shtoi se për shkak se nuk u arrit marrëveshje në takimin e fundit, mbetet e paqartë se si do të ndikojë kjo në jetën e përditshme të serbëve.

“Gjatë javës së kaluar kam pritur edhe kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për raundin final të diskutimeve për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Fatkeqësisht, nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe është e paqartë se si do të ndikojë kjo në jetën e përditshme të komuniteteve të prekura në Kosovë”, përfundoi përfaqësuesi i posaçëm i BE-së.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi e Petar Petkoviç – u mbyllën për mbi tetë orë në një prej zyrave të BE-së në Bruksel të Belgjikës më 15 maj për t’i vazhduar për herë të shtatë brenda pak muajsh negociatat mbi çështjen e dinarit, por që – sërish – rezultuan pa marrëveshje për rregulloren e BQK-së mbi operacionet me para të gatshme në Kosovë.

Më 1 shkurt hyri në fuqi rregullorja e BQK-sё, nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb brenda territorit. Në zonat e banuara me shumicë serbe në vend, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore