Kosova

Lajçak vizitë të paparalajmëruar në Kosovë


Mirosllav Lajçak dhe Besnik Bislimi

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të takohet këtë të martë në Prishtinë me zëvendëskryeministrin e Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të palës kosovare në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi të martën në një komunikatë se takimi mes Bislimit e Lajçakut pritet të nisë në orën 18:00. Megjithatë, nuk është bërë e ditur arsyeja e vizitës së paparalajmëruar të diplomatit sllovak në Prishtinë. Paraprakisht, ai takoi kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviç, në kuadër të një konference ndërkombëtare në Athinë të Greqisë.

Ndryshe, një prej protagonistëve kryesorë që aktualisht mbulon pjesën më të madhe të përpjekjeve evropiane për të gjetur “formulën e zgjidhjes” në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi pritet të marrë post të ri diplomatik brenda pak javësh. Lajçaku do të vazhdojë karrierën diplomatike në pozitën e ambasadorit të BE-së në Zvicër.

Por, në një intervistë për portalin në gjuhën serbe “Kosovo Online” të martën, diplomati sllovak i BE-së njoftoi se i është kërkuar të vazhdojë të punojë ende në pozitën e ndërmjetësit evropian të dialogut, andaj do ta vazhdojë punën edhe për një kohë, por nuk ka përmendur afate kohore se deri kur do të vazhdojë të kujdeset që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet.

Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve nën mandatin e Lajçakut, fillimisht më 27 shkurt 2023 në Bruksel të Belgjikës, pastaj për planin e sekuncimit të së njëjtës marrëveshje më 18 mars 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, diplomati veteran ende nuk ka arritur t’i bindë palët ta zbatojnë të njëjtën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore