Shqipëria

Lajçak për angazhimin e Ramës në dialogun Kosovë-Serbi: Zëri i tij është mjaft autoritativ, investoi shumë për të gjetur zgjidhje


Edi Rama dhe Miroslav Lajçak

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka komentuar angazhimin e kreut të ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, në dialogun mes palëve, i cili ka propozuar edhe ndryshimin e formatit të procesit të dialogut në një “konferencë ndërkombëtare” të normalizimit të marrëdhënieve.

Në një intervistë për “Euronews Serbia”, diplomati sllovak ka komentuar edhe përpjekjet e kryeministrit shqiptar për zgjidhjen e krizës në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, të cilin ua ka dorëzuar tashmë kancelarive evropiane.

Më duhet të them se ai luan një rol aktiv dhe konstruktiv në të krejt këtë krizë, sepse ai është njohës i mirë i situatës në terren. Sigurisht, si kryeministër i Shqipërisë, zëri i tij është mjaft autoritativ për t’u dëgjuar. Unë jam në kontakt të rregullt me ​​të dhe e di se sa kohë dhe autoritet ka investuar për të gjetur një zgjidhje”, tha Lajçak.

Kryeministri i Shqipërisë, para disa ditëve, parashtroi një kërkesë për sa i takon “ngecjes” së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai propozoi ndryshimin e formatit të procesit të dialogut në një konferencë nën kujdesin dhe trysninë e e bashkësisë së organizuar ndërkombëtarëve e pa të drejtë daljeje.

Kur ka komentuar dokumentin e përpiluar nga ekspertët ndërkombëtarë me nismën e kreut të qeverisë shqiptare për të gjetur një zgjidhje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovës, ndonëse theksoi se është një dokument “serioz dhe cilësor”, tha se zgjidhja duhet të bëhët brenda kornizës së dialogut.

“Është një dokument shumë serioz. E kemi analizuar dhe mendoj se është cilësor. Sigurisht, ajo vjen nga jashtë procesit. Sipas të gjitha dokumenteve, është e qartë se statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të hartohet brenda dialogut. Por për sa i përket përmbajtjes, ka elemente që mund të përdoren”.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet propozimi i draft-statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se e ka hartuar ekzekutivi kosovar, por – për arsye të panjohura – nuk po duan ta publikojnë.

Kosovës po i kërkohet që të fillojë urgjentisht zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjese Bazë për normalizmin e marrëdhënieve me Serbinë, me të cilën parashihet një “nivel i përshatshëm i vetëmenaxhimit/vetëqeverisjes” për komunitetin serb në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e përshkruajnë këtë si “detyrë urgjente” për Kosovën dhe një ndër “hapat ekzistencial” për aspiratat euro-atnantike të Kosovës. Tash, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po pritet hartimi i një draft-statuti për këtë pajisje për serbët e Kosovës.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i madh për serbët – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e tyre, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Autoritetet kosovare kanë frikë jo për atë që paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik, me theks të veçantë, frika nga krijimi i një modeli të ri të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Dayton 2.0: Ideja e Edi Ramës për ndryshim formati në dialog mund të jetë zgjidhje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore