Lajme

Lajçak pas takimit me Listën Serbe: Ajo çfarë dëgjova nga ta më shqetësoj


Miroslav Lajcak dhe perfaqesuesit e Listes Serbe

I dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një postimi në rrjetin social Twitter pas mesnate, ka thënë se ajo çfarë ka dëgjuar në takimet në Veri të Kosovës “më shqetësoj”.

“Për mua ishte e rëndësishme të vizitoja përsëri veriun e Kosovës dhe të bisedoja me bashkëbisedues të ndryshëm në mënyrë që të fitoja përshtypjen time të drejtpërdrejtë për situatën aktuale”, shkroi ai në Twitter.

Përkundër se në njëri nga takimet e Lajçak-ut në Veri të Kosovës ishte me përfaqësuesit e Listës Serbe, të dirigjuarit e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ai tha ato çfarë ka dëgjuar nga ta e kanë shqetësuar.

“Ne duhet të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të përqendrohemi plotësisht te normalizimi”, përfundoi ai.

Image

Ndryshe, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas përmbylljes së vizitës në Prishtinë, fillimisht tha se vëmendja e Kosovës dhe Serbisë tash duhet të orientohet plotësisht drejt normalizimit të marrëdhënieve me implementimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Ai nëpërmjet një cicërime në llogarinë zyrtare në “Twitter”, njoftoi ndjekësit e tij se në takimin e së enjtes me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë ka diskutuar për pritjet që ka nga takimi i javës së ardhshme në nivel të kryenegociatorëve – Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç-it.

“Me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, diskutova pritjet për javën e ardhshme. Vëmendja jonë e plotë tash duhet të jetë në normalizimin dhe implementimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit”, shkroi Lajçak.

Diplomati sllovak gjatë ditës njoftoi se Qeverisë së Kosovës ia ka bërë të qartë qëndrimin e autoriteteve evropiane se duhet të bëhet progres drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa vizitoi edhe Urën e Ibrit në Mitrovicë, nga ku tha se vendimi për hapjen e saj duhet të merret në kuadër të dialogut.

Kryeministri Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, paraprakisht ishin pajtuar me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Megjithatë, të dy palët veçse kanë filluar ta akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e pikave të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit. Bashkimi Evropian deri më tani nuk ka arritur të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë marrëveshjen si obligim ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore