Lajme

Lajçak në Prishtinë: Çështja kryesore s’është takimi Kurti – Vuçiç, por rezultati i tij


Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Nuk ka shumë rëndësi a takohen Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç, sa ka rëndësi se cili është rezultati i takimit të tyre.

Kështu është shprehur Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas bisedës që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Ai ka pranuar se tentimet po i vazhdon për një takim të radhës mes kryeministrit të Kosovës e Presidentit të Serbisë.

“Këtë javë unë kam takuar dy herë kryeministrin Kurti dhe kam biseduar me presidentin Vuçiç”, tha ai.

“Arsyeja nuk është veç takimi mes Kurtit dhe Vuçiç-it, ne jemi duke punuar në këtë drejtim, por arsyeja është rezultati i këtij takimi. Ne duam të kemi rezultate pozitive”.

E kaluara, siç kujton Lajçak para gazetarëve në Prishtinë, na thotë se “të dy liderët më parë kanë zhvilluar dy takime, por pa ndonjë rezultat pozitiv nga këto takime”.

Miroslav Lajçak

Lajçak para takimit me kryeministrin Kurti është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Zyra për media e presidencës së Kosovës në një njoftim për media ka thënë se Presidentja Osmani ka potencuar se suksesi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi nuk është i rëndësishëm vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin.

Presidentja ka konfirmuar edhe njëherë se “Kosova mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në dialog”.

Omani ka thënë se është e nevojshme që të përçohet mesazhi në mënyrë të qartë se epilogu i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Ajo ka thënë se është urgjente që të adresohet tendenca destabilizuese në rajon.

“Zhvillimet e fundit në rajon nuk mund të shihen vetëm nga prizmi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, por si një kundërvënie e drejtpërdrejt ndaj vlerave, të cilat i përfaqëson Bashkimi Evropian dhe shoqëritë demokratike”.

Ndërsa në njoftim të presidencës thuhet se emisari i BE-së, Lajçak ka vënë theks tek nevoja për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes Evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

“Ai theksoi se ka hapësirë për progres në kuadër të dialogut, gjersa potencoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për gjithë BE-në”, thuhet në njoftim.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore