Lajme

Lajçak, Escobar, Plotner dhe Bonne në Beograd?


Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak

Përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet ta vizitojnë kryeqytetin e Serbisë menjëherë pas 7 janarit kur besimtarët ortodoksë festojnë Krishtlindjet.

Qëllimi i vizitës ka të bëjë me përshpejtimin e arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan mediumi i afërt me regjimin serb “Novosti”.

Beogradin fillimisht do ta vizitojnë përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Lajçak dhe Escobar do të jenë të shoqëruar nga të dërguarit e presidentit francez dhe kancelarit gjerman, Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner, ndërsa pas kësaj mund të ketë vizita edhe nga zyrtarë të tjerë.

Arsyeja tjetër e kësaj vizite, sipas burimeve diplomatike të mediumit, është që të bindin lidershipin serb për të fillouar dialogun në bazë të propozimit franko-gjerman për normalizim të plotë të marrëdhënieve.

Ndërkaq, kjo vizitë vjen para përvjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë që shënohet më 24 shkurt dhe paraqet një afat joformal kur Prishtina dhe Beogradi duhet të pajtohen për propozimin franko-gjerman.

Se nisma të reja për takime të tjera do ketë në fillim të vitit, njoftoi edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Kosova Press.

“Në janar do të ketë nisma të reja për të përgatitur takime në Bruksel. Është e qartë që Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje, por vetëm për kriza. Ata janë sot në modusin e zjarrfikësit piroman, i cili vazhdimisht vë zjarre për t’u imponuar si dikush që i fikë ato. Por, edhe kësaj po i vije fundi”, tha Kurti.

Gjithashtu, edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njoftoi pak ditë më parë që “burra të mëdhenj” do të zbarkojnë në Beograd gjatë gjysmës së parë të janarit.

Ndryshe, afërsisht tri javë pjesa veriore e Kosovës mbeti e bllokuar nga 16 barrikada të vendosura nga serbët lokalë dhe të mbrojtura nga persona të maskuar dhe të armatosur.

Ato u vendosen pas arrestimit të një ish-polici të Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, i cili akuzohet për sulm terrorist në veri.

Policia e Kosovës nuk i largoi dot barrikadat, derisa KFOR-i nuk u përgjigj pozitivisht në kërkesën e Qeverisë së Kosovës për t’i larguar.

Derisa dukej se situata po shkonte drejt shpërthimit, meqë hedhja e shok-bombave dhe shkrepja e plumbave filloi të bëhet rutinë ditore në veri, situata mori një kthesë tjetër.

Në një vendim ende të pasqaruar mirë, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi ta lëshojë ish-policin Pantiç, pasi Prokurori argumentoi se atij nuk iu plotësuan kushtet e një të paraburgosuri.

Pantiç u mbajt në një kontejner në veri, për shkak të bllokadave që pamundësonin transportimin e tij në një qendër paraburgimi në jug.

Më vonë, nga përshëndetja që i bënë veprimit diplomatët evropianë dhe ata amerikanë, u kuptua se në prapaskenë ishin zhvilluar negociata mes palëve për depërshkallëzim.

Kosova, me një veprim të paprecedent, kishte garantuar se askush nga ata që sulmuan policët, hodhën bomba dhe bllokuan rrugët, nuk do të ndiqet penalisht.

Presidenti i Serbisë u kërkoi serbëve të Kosovës që të heqin barrikadat, pasi u tha se “të gjitha kërkesat na janë plotësuar”. Ata e dëgjuan.

Në komunikatën përshëndetëse, BE-ja dhe SHBA-të, protestuesit e armatosur dhe barrikadat i quajtën “mjete paqësore për protestë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore