Lajme

Lajçak e quan “të dobishëm” takimin me Lutfiun dhe Kamberin


Shaip Kamberi, Nevzad Lutfiu dhe Miroslav Lajçak.

I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, e ka konsideruar “takim të dobishëm”, atë me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu, së bashku me deputetin e vetëm shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, Lajçak ka thënë se kanë diskutuar çështje relevante.

“Si pjesë e ndërveprimeve të mia të rregullta me Ballkanin Perëndimor, pata një takim të dobishëm me të në Bruksel. Diskutuam tema të rëndësishme, duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe të pakicave, të cilat janë çështje kyçe në procesin e integrimit evropian”, ka shkruar ai.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu, së bashku me deputetin e vetëm shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberin, janë takuar me të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, të cilin e kanë njoftuar me sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës më 5 prill.

Lajmi u bë i ditur nga Lutfiu, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ku tha se diplomatin sllovak e kanë njoftuar për hezitimin dhe mosgatishmërinë e shtetit serb për të integruar shqiptarët nëpër institucione shtetërore serbe.

“Mos integrimi i shqiptarëve në institucione i bënë institucionet jokredibile e diskriminuese, ndërsa aplikimi i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime. Medvegja është shembulli më i mirë”, ka shkruar ai të premten.

Mos integrimi  i shqiptarëve në institucione, sipas Lutfiut i bënë institucionet jokredibile e diskriminuese, ndërsa aplikimi i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime.

Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës vazhdimisht janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61 mijë e 687 shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore