Kosova

Lajçak darkon me Cholletin dhe Escobarin: Jemi në të njëjtën linjë për situatën në Ballkan


I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar me të cilët ka biseduar për situatën në Ballkanin Perëndimor.

“Kishim darkë mes miqsh të mirë në Nju Jork me Chollet dhe Escobar. Gjithmonë është e dobishme të rikonfirmojmë se ne ndajmë të njëjtin lexim të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe jemi në të njëjtën linjë në lidhje me rrugën përpara”, ka shkruar Lajçak në platformën X.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit në një përgjigje për Zërin e Amerikës, kanë deklaruar se ata i njohin dhe vlerësojnë përpjekjet e Lajçak-ut në dialog.

Madje DASH edhe e ka falënderuar diplomatin sllovak për “përpjekje të palodhur” në dialog përkundër kritikave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se Lajçak “ia mban anën Serbisë”.

“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”, tha një zëdhënës i DASH.

Në një konferencë të gjatë për media të hënën, Kurti bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, e kanë bërë direkt pengues të procesit te dialogut vetë Lajçakun, personin që është i angazhuar për ta avancuar.

Kurti s’ka lënë dyshime duke deklaruar se Lajçak është person që punon për Serbi.

Madje, ka deklaruar se ka mundësi që as Josep Borrell, shefi i tij, nuk është në dijeni të këtij raporti të ndytë mes Lajçakut e palës serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore