Sport

La Liga refuzon të regjistrojë afrimet e reja të Barcelona-s


Megjithë besimin që ka klubi i Barcelona-s se do të marrin dritën jeshile për të regjistruar transferimet e reja të kryera këtë merkato, La Liga nuk i ka miratuar ende ato.

Sipas gazetës spanjolle “Sport”, besimi i klubit vjen pasi ata arritën të siguronin 868 milionë euro falë marrëveshjeve të ndryshme me “Sixth Street” apo “Socios”.

Për javë të tera, Barcelona ka mbajtur takime me La Liga-n mbi çështjen e regjistrimit të lojtarëve, por duket se ende ka diçka që nuk shkon.

Janë pesë afrime të reja Robert Lewandowski, Franck Kessie, Jules Kounde, Andreas Christensen dhe Raphinha, si dhe dy rinovime Ousmane Dembele dhe Sergi Roberto që po presin të regjistrohen.

Për të arritur të regjistrojë lojtarët e sipërpërmendur, Barcelona duhet të kryejë disa largime, si Frenkie de Jong, paga e të cilit peshon shumë në arkat e klubit.

Gjithashtu mund të aktivizohet dhe leva e katërt ekonomike, që është shitja e 24.5% të “Barça Studios” te kompania “Socios”.

Në fillim të javës që vjen, mundësitë janë të mëdha që Barcelona të aktivizojë levën e katërt në mënyrë që të regjistrojë lojtarët, në një kohë kur La Liga është shumë pranë nisjes së sezonit të ri 2022-23.

Barcelona do të zbresë në fushë përballë Rayo Vallecano-s më 13 gusht. Ndërsa afati fundit për të regjistruar lojtarët është deri më 31 gusht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore