Sport

La Liga/ Barcelona i shpëton ‘turpërimit’ në minutat e fundit


Barcelona ka arritur të triumfojë përballë Elche-s në javën e 18 të La Liga-s. Skuadrat u ndeshën në “Camp Nou”, në një ndeshje të cilën vendasit për pak sa nuk e bënë dramë.

Të besuarit e Xavi Hernandez-it po udhëhiqnin me shifrat 2-0, kur u barazuan nga miqtë. Por, në fund arritën të shënonin golin e fitores dhe të merrnin tri pikët.

Ferran Jutgla shënoi golin e parë të takimit në minutën e 16. 22-vjeçari shfrytëzoi maksimalisht topin e dhënë nga Ousmane Dembele.

Tre minuta më vonë do të vinte goli i dytë për vendasit. Gavi ishte autori i golit, i cili ishte dhe lojtari më i dalluar në këtë ndeshje.

Miqtë barazojnë ndeshjen në pjesën e dytë me dy gola të shpejtë brenda një minute. Në të 62 minutë shënon Jose Morente dhe në 63 minutë, Pere Milla.

19-vjeçari Nicolas Gonzalez-i shpëtoi Barcelona-n nga humbja. Talenti spanjoll shënoi për 3-2 pesë minuta para përfundimit të kohës së rregullt të takimit.

Barcelona rikthehet te fitorja në La Liga pas një barazimi dhe një humbje. 27 pikë kanë katalanasit, që renditen në vendin e shtatë. Elche mbetet në vendin e 16 dhe me 15 pikë.

Në sfidat e tjera të ditës, Villarreal-i fitoi 3-1 në transfertë përballë Real Sociedad-it dhe Rayo Vallecano fitoi 2-0 përballë Deportivo Alaves-it.

Aktualisht, Rayo mban vendin e katërt në La Liga me 30 pikë. Sociedad-i renditet i gjashti me 29 pikë, Villarreal-i i 10-i me 22 pikë dhe Alaves-i në vendin e 17 me 15 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore