Shqipëria

Ky s’është shef i opozitës, por i turpit


Me gishtat e njërës dorë ndoshta mund të numërohen ditët më të rëndësishme se kjo e sotmja për shqiptarinë, kur për të parën herë në histori, u mblodh një Kuvend i përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, në Tiranë.

Në fakt ngjarja vetë kjo është dhe veç për të duhet komentuar, të mos ishte për figura të tilla, që edhe sublimen, e kthejnë në të përdhosur.

Ndonëse minutazh për të folur nuk kishte, rastin e gjeti, ca nga liria që mediat sociale japin e ca nga pamëshirshmëria e mediave për të bërë lajm.

Bëhet fjalë për atë, Sali Berishën, i cili vetëm shef opozite nuk mund të quhet, në vigjilje të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Të një Shqipërie që ende, pavarësi nuk ka fituar nga palogjikshmëria politike e njerëzore e disave!

Teksa seanca sublime po zhvillohej, Berisha afërmendsh nuk mund të ishte duke dëgjuar kolegët e tij parlamentarë nga Shqipëria e Kosova, të cilët kishin të drejtën të mbanin nga një fjalë përshëndetëse në foltoren e Parlamentit shqiptar.

Sali Berisha, i fotografuar nga lozha e Parlamentit gjatë seancës solemne të Kuvendit të përbashkët Shqipëri-Kosovë, teksa poston në Facebook një fotografi të Edi Ramës dhe Alexander Vuçiç

Nga ulësja e tij, Berisha, me celularin në dorë, e pat mendjen të publikonte në Facebook “parodi” për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, duke publikuar foto të këtij të fundit me presidentin serb, Alexander Vuçiç, apo me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, për shkak të detyrës.

Në parodi, veç vetë Berisha mund të kthehet, kur si ish-President dhe ish-Kryeministër, apo mandej edhe “shef” aktual i opozitës – i thënçin – vendos në postime edhe përshkrime të sojit “Të kam xhan!”.

Një prej postimeve të Sali Berishës në Facebook, gjatë seancës solemne të Kuvendit të parë të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës

Vetë ndërkohë, veç urrejtja i ka mbetur…ndaj “armikut” të tij, Ramës, sigurisht.

Në kohën kur ky i fundit mori fjalën përshëndetëse në Parlament, Berisha dhe degëzimet e tije si të përbrendshme të Partisë Demokratike, vërshuan menjëherë duke lënë karriget dhe duke dalë nga salla.

“Foltoren” e gjeti menjëherë sigurisht tek mikrofonët e gatshëm të mediave, të cilët gjendeshin në oborrin parlamentar.

“Edi Rama ka futur thika pas shpine ndaj Kosovës në mënyrë të vazhdueshme”, tha ai, si për të cituar vetë Ramën kur në një fjalim në Parlament, i përmendte Berishës se ai në kurriz të Kosovës dhe krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ngulte thika pas shpine me Moskën e Beogradin, duke dërguar naftë shqiptare përtej kufirit në kohën e luftës apo duke hartuar rezoluta, që do të shpinin në burg Hashim Thaçin, Kadri Veselin, apo Jakup Krasniqin, me një akuzë pa akuzë, ku ende pritet një gjykim pa gjykim.

Sali Berisha, i fotografuar gjatë seancës solemne të Kuvendit të përbashkët Shqipëri-Kosovë, teksa poston në Facebook disa fotografi të Edi Ramës në takim zyrtar me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov

S’është urimi i 110-vjetorit të pavarësisë së shqiptarëve, ai i vërteti i Berishës.

Është mllefi që vijon e hedh kur mundet e i vjen për mbarë, ndaj kujtdo që ka përballë, “mallkimi” që i ka lënë shqiptarëve.

Shef opozite jo e jo, por edhe turp të shqiptarisë, është shumë ndoshta ta quash!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore