Lajme

“Ky është leximi im për takimin Kurti-Vuçiç në Bruksel” – Intervistë me Visar Ymerin, ish-kryetarin e Vetëvendosjes


Takimi ne Bruksel, foto nga Albanian Post

Takimi 5 orësh në mes të Albin Kurtit, Aleksandër Vuçiç-it dhe ndërmjetësuesve nga BE-ja, Miroslav Lajçak-ut e Josep Borell-it, dhe përfundimi i tij pa një rezultat konkret, si edhe takimet paraprake të këtij niveli të lartë, Visar Ymerin e kanë bërë të kuptojë se Serbia s’ka interes për zgjidhje të shpejt të dialogut.

“Vuçiçi do të kishte dashur ta zvarriste dialogun pafundësisht deri sa t’i realizojë të gjitha kërkesat e tij”, thotë Ymeri, ish-kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, për Albanian Post.

Në takimin trepalësh të së enjtes nuk u akordua gjë, megjithatë, marrë parasysh tensionet aktuale në Veri, pozitive është që të paktën pati takim, deklaron Ymeri.

“Pres që të ketë një dialog shumë më dinamik e më të vërtetë gjatë muajve të vjeshtës. Kjo është pozitive”, pohon udhëheqësi i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokolari”.

Sa për ish-bashkëpartiakun, tash kryeministrin Albin Kurti, Ymeri thotë se në fillim ishte më kreativ, tani është përhumbur në formalitetet e teknikalitetet e vetë procesit që daton shumë para tij.

“Pra në fillim ka pasur një rol proaktiv me propozime (kujtoni 4 pikat), ndërsa tash është thelluar në diskutimin e pikave të mëhershme dhe shpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve të së kaluarës”.

Visar Ymeri, analist

Intervista e Visar Ymerit për Albanian Post

Albanian Post: Si e keni parë në përgjithësi takimin në Bruksel?

Visar Ymeri: Rëndësia më e madhe e këtij raundi të dialogut është ulja e tensioneve dhe ndryshimi i gjuhës së Vuçiçit e Kurtit e cila kishte marrë përmasa të rrezikshme kohëve të fundit. Në këtë drejtim duket se më i rëndësishëm se takimi i përbashkët në zyrën e z. Borrell ishin takimet në selinë e NATO-s, ku të dyve, e veçanërisht Vuçiçit, ishte e rëndësishme t’i bëhet me dije për vendosmërinë e praninë e NATO-s në Kosovë.

Takimi ka qenë dashtë ta arrijë një dakordancë për sa i përket çështjeve urgjente siç është ajo për targa që po shkakton tensione, dhe ajo për energjinë që duket se nuk po ec si duhet. Por më me rëndësi se kaq, takimi ka qenë dashur ta hap diskutimin për ravijëzimin e rrugës përpara në dialog. Nuk duket të ketë pasur përparim në asnjërën prej këtyre pikave mirëpo dinamika e re e premtuar në dialog mendoj se na çon më shpejtë drejt marrëveshjes.

Albanian Post: Është arritur një pajtim në parim që të vazhdohet me takime të rregullta. Është hap pozitiv ky?

Visar Ymeri: Pres që të ketë një dialog shumë më dinamik e më të vërtetë gjatë muajve të vjeshtës. Kjo është pozitive. Për Kosovën veçanërisht është tejet e rëndësishme që të arrijmë marrëveshje të përgjithshme sa më herët që është e mundur dhe që kjo marrëveshje ta ketë njohjen nga Serbia.

Albanian Post: Çfarë do Kurti nga dialogu dhe a po e arrin atë që do me sa keni parë deri tani?

Visar Ymeri: Deri tash Kurti ka bërë disa tentime për t’ia ndryshuar fizionominë dhe agjendën dialogut. Nuk duket ta ketë arritur një gjë të tillë. Pra në fillim ka pasur një rol proaktiv me propozime (kujtoni 4 pikat), ndërsa tash është thelluar në diskutimin e pikave të mëhershme dhe shpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve të së kaluarës. Mendoj që më shumë se sa sjellja jonë, rëndësinë për një dialog e marrëveshje më të shpejtë e ka rritur situate e brishtë e sigurisë që ndërlishet e agresionin e Rusisë në Ukrainë, por edhe me problemet e shtuara rajonale, veçanërisht në Bosnje e Hercegovinë, të cilat flasin për brishtësinë e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit dhe domosdonë e arritjes së paqes përmes bashkëpunimit më të ngushtë rajonal.

Albanian Post: Cilat janë qëllimet e Vuçiç/Serbisë në dialog?

Visar Ymeri: Vuçiçi do të kishte dashur ta zvarriste dialogun pafundësisht deri sa t’i realizojë të gjitha kërkesat e tij. Ky është leximi formal i sjelljes së tij. Ndërkohë që mendoj që po ashtu Vuçiqi është interesuar që të merr diçka që do të mund ta ‘shiste’ si shpëtim fytyre para opinionit publik në Serbi. Pra diçka që do të mund ta quante fitore. Mendoj që zhvillimi me i rëndësishëm potencial që mund të ndodh në rajon, dhe atë shpejtë, është ndërrimi i anëve nga Serbia, kalimi nga lidhja e ngushtë me Rusinë te një afrim më i madh me perëndimin. Duket se ky është investimi kryesor perëndimor në Serbi. Kjo do ta ndryshoj pastaj rajonin në përgjithësi por edhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Albanian Post: Kujt i konvenon status-quoja?

Visar Ymeri: Status quoja i konvenon më së shumti atyre grupeve që kërkojnë konflikte e dhunë. Mbi të gjitha kjo është Rusia e Putinit. Por edhe grupet e krimit të organizuar që veprojnë në rajon e të cilat paqen dhe bashkëpunimin rajonal e shohin si armikun më të madh. Paqja dhe progresi në rajon sjellin rend dhe ligj, si dhe mirëqenie për qytetarët. Këto janë makthi i krimit të organizuar.

Albanian Post: Si e keni lexuar deklaratën e Borell pas takimit?

Borell na e bëri me dije që insistimi i BE-së, sikur ai i NATO-s një ditë më parë, është që të gjitha çështjet të zgjidhen me dialog dhe në tavolinë e në asnjë mënyrë tjetër. Këto i drejtohen si Kosovës ashtu edhe Serbisë. Dhe na tregojnë që deri më 1 shtator do të bëjnë çmos që ta gjejnë një zgjidhje.

Albanian Post: Çfarë do të ndodhë me 1 shtator, apo ky takim s’na tregoi asgjë?

Visar Ymeri: Do të ketë takime tjera. Duket se deri më 1 shtator palët kanë kërkesë të qartë se duhet ta gjejnë një ujdi për targat dhe dokumentet që do e mbyllin një herë e përgjithmonë këtë çështje. E me këtë edhe shumë çështje tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore