Kuvendi voton pro ngritjes së komisionit hetimor për presidentin

SHFLETO
Vitjon Nina
07.05.2021 13:49
Loading Icons...

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar pro ngritjes së Komisionit Hetimor për Presidentin e Republikës, Ilir Meta.

Me 97 vota pro, gjashtë kundër dhe një abstenim, komisioni do të fillojë punën për të hetuar nëse presidenti ka kryer shkelje kushtetuese, gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit.

Pjesë e këtij komisioni, do të jenë nëntë anëtarë. Kryetari, do të jetë deputeti socialist, Alket Hyseni. Zëvendëskryetar, do të jetë përfaqësuesi i opozitës parlamentare, Myslym Murrizi. Sekretare e komisionit ndërkaq, do të jetë socialistja Klotilda Bushka.

Anëtarët e komisionit, do të jenë: Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka dhe Arlind Çarçani.

Zëvendësues, do të jenë anëtarët Ermonela Felaj, Xhemal Qefaliaj dhe Eugen Bojaxhiu.

Pse po kërkohet shkarkimi i Presidentit, Ilir Meta?

Akuzat e mazhorancës, janë mbi përfshirjen e Metës në fushatën zgjedhore dhe nxitjen e akteve të dhunës në fushatë.

Kjo është hera e dytë që një nismë e tillë shkon në Parlament, brenda dy vjetëve.

Të parën, mazhoranca e ngriti pas dekretit të presidentit mbi anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

Ajo u kthye në një rezolutë të votuar me 100 vota pro në seancën e 13 qershorit të vitit 2019.

Sqarimin mbi akuzat e reja e ka bërë ndërkaq kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Meta i ka quajtur këto akuza “shashka”, duke kërkuar përqendrim në mbylljen e procesit zgjedhor.

Përveç politikës shqiptare, replika në distancë me Presidentin Meta, ka pasur edhe vetë ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim.

Tashmë, nëse komisioni hetimor e nxjerr fajtor Metën, çështja shkon në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit, vendos nëse presidenti duhet të shkarkohet, apo duhet të mbesë në detyrë.