Shqipëria

Kuvendi shqyrton – sërish – mandatin e Olta Xhaçkës


Çështja e mandatit të deputetes së mazhorancës, Olta Xhaçka, do të rikthehet edhe një herë për diskutim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Kjo pasi, një ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesës së 14 deputetëve të Partisë Demokratike – fraksioni i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj – për ta shfuqizuar vendimin e Parlamentit që miratoi raportin për të mos e çuar mandatin e Xhaçkës në Gjykatë.

Kështu me këtë vendim të Kushtetueses, Kuvendi është i detyruar ta çojë çështjen në Gjykatë dhe kjo e fundit do të vendosë.

Kushtetuesja ka shfuqizuar edhe vendimin e Parlamentin që rrëzonte raportin e opozitës për këtë çështje.

Ndërkohë, kërkesa e deputetëve të udhëhequr nga Sali Berisha është rrëzuar nga gjykatësit.

Selia blu kërkonte heqjen e mandatit të Xhaçkës, por sipas Kushtetueses, kjo çështje do duhej të dërgohej përmes një raporti të shprehur më parë nga Kuvendi.

Tanimë i takon Kuvendit, i cili është i detyruar që ta çojë për shqyrtim mandatin e Xhaçkës.

Më pas çështja shkon në Kushtetuese, e cila mund të vendosë për heqjen, ose mund të thotë se nuk ka gjetur konflikt interesi.

Kujtojmë se Kuvendi miratoi me 73 vota pro dhe 21 kundër, raportin e mazhorancës socialiste që konstatonte se përfitimet si sipërmarrës të bashkëshortit të ministres së Jashtme, nuk e vendosnin Olta Xhaçkën në kushtet e papajtueshmërisë me mandatin parlamentar.

Reagimi i parë i demokratëve, erdhi nga “pala fituese”, konkretisht Gazmend Bardhi, i cili e quajti këtë si aktin e parë të një beteje që duhet të përfundojë me një vendim tjetër të pavarur e të pandikuar “për t’i hequr Olta Xhaçkës mandatin e deputetit për shkelje të rëndë të Kushtetutës”.

Nga ana tjetër, mazhoranca ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar.

Qëndrimi i Xhaçkës

Avokati i ministres, Genci Çifligu, ka përdorur si argument tejzgjatjen e vendimmarrjes nga Kuvendi për dy mocionet e opozitës.

Ai shprehet se mocionet e opozitës janë jashtë afateve ligjore.

Pse jashtë afateve?

Sipas Çifligut duhet llogaritur si moment i konstatimit të papajtueshmërisë data 2 mars 2022.

Datë në të cilën është bërë i njohur botërisht fakti që kompania e bashkëshortit të ministres ka fituar statusin e investitorit strategjik.

Ndërtimi i ngjarjes

Kërkesa erdhi nga 15 deputetë të opozitës për mocion “Për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit te mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.

Ndërkohë, shqyrtimi i mocionit të PD-së në Këshillin e Mandateve nisi me datë 24 qershor 2022, por u shty në disa seanca me kërkesë të socialistëve, që kërkonin kohë për mbrojtje dhe më pas u la në harresë për t’u futur në rendin e ditës së seancës plenare.

Më 1 korrik, Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë u mblodh për të dytën herë për të shqyrtuar kërkesën e grupit të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të kryediplomates si deputete.

Në mbledhje u vendos që të thirrej ministrja Xhaçka për të dhënë qëndrimin e saj.

Kërkesa e deputetëve demokratë erdhi për faktin se një subjekt privat, të cilin e menaxhon bashkëshorti i Xhaçkës, ka marrë statusin e “investitorit strategjik”.

Kjo, për të zhvilluar një projekt në bregdetin e Himarës, duke marrë kështu pronën publike për 30 vjet.

Sipas tyre, ka pasur favorizime për shkak të detyrës që Xhaçka ka në kabinetin qeveritar.

Kujtojmë që Xhaçka e nisi karrierën politike në vitin 2009 si deputete e PS për Qarkun e Korçës.

Në mars të vitit 2017, ajo mori drejtimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë – post të cilin e mbajti për pesë muaj.

Më pas, po nga 2017-2021 mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke zëvendësuar Mimi Kodhelin. Detyrën në krye të Mbrojtjes, Xhaçka e mbajti deri në janar të këtij viti.

Në fillim të vitit 2021, Xhaçkës iu besua Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku zëvendësoi Gent Cakajn.

Tani fjala i takon Kuvendit, e më pas Kushtetueses.

Dhe mbetet për t’u parë nëse vendimi i kësaj të fundit do të jetë moralisht i mjaftueshëm që Xhaçka të japë dorëheqjen.

Xhaçka i kthehet gjykimit në Parlament

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore