Lajme

Kuvendi i Kosovës për herë të parë në Komitetin e Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të KiE-së


Kuvendi i Kosovës

Kosova është prezantuar për herë të parë në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), të mbajtur në Islandë, njoftoi Kuvendi i Kosovës.

Të premten në kryeqytetit islandez, Reykjavik, APKE mblodhi rreth 60 anëtarë ndërsa delagacioni i Kosovës përfaqësohet nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Kjo pjesëmarrje shënon herën e parë që delegacioni i Kuvendit të Kosovës përfaqësohet në një takim të këtij niveli, që kur ka filluar të marrë pjesë në aktivitetet e kësaj organizate.

Pritet që takimin të hapë presidenti i APKE-së, Tiny Kox, duke pasuar me një fjalim mirëseardhjeje nga Albingi Birgir Armannsson, kryetar i Parlamentit të Islandës.

Po ashtu në orët e pasdites, pjesëmarrësve pritet t’i drejtohet edhe Bordis Kolbrun Reykfjoro Gylfadottir, ministre e Punëve të Jashtme dhe Kryesuese e Komitetit të Ministrave.

Arben Gashi, deputet

Islanda ka marrë kryesimin e kësaj organizate që nga ky muaj dhe do ta mbajë deri në maj të vitit të ardhshëm.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, do të organizohet një aktivitet mbi “Dhunën Digjitale ndaj Grave”.

Parlamentarët gjithashtu do të zhvillojnë një debat për çështjet aktuale mbi “Përshkallëzimin në luftën e agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës”.

Ata pritet që të miratojnë një deklaratë për Samitin e 4-të të krerëve të shteteve anëtare të KiE-së, i cili do të mbahet po në Reykjavik, më 16 dhe 17 maj 2023.

Gjatë këtij takimi do të diskutohet edhe për rolin e KiE-së si një gur themeli i arkitekturës politike evropiane, mbrojtjen e demokracisë gjatë krizave shëndetësore, ndikimin e pandemisë Covid-19 në hapësirën e shoqërisë civile dhe mbi popullimin e burgjeve.

Komiteti i Përhershëm i APKE-se përbëhet nga Presidenti dhe nënkryetarët e APKE-së, kryetarët e grupeve politike, kryesuesit e delegacioneve kombëtare dhe kryetarët e komiteteve, me rreth 60 parlamentarë nga 46 shtete anëtare të KiE-së.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 12 maj ka aplikuar për anëtarësim të  plotë në KiE përmes kryediplomates Donika Gërvalla – por ende nuk dihet data se kur do të diskutohet për këtë kërkesë në KiE.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore