Lajme

Kuvendi miraton projektligjin për shëndetin riprodhues, për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare s’ka kuorum


Ilustrim

Deputetët e Kuvendit të Kosovës këtë të mërkurë, kanë votuar në parim projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Nga 85 deputetë sa ishin në sallë 58 deputetë votuan pro.

Njëri nga deputetët ishte kundër ndërsa katër ligjvënës kanë abstenuar.

Ky projektligj ka nxitur debat në vend që kur u prezantua për herë të parë para deputetëve.

Disa deputetë të pushtetit patën dalë kundër këtij projektligji.

Gjatë vazhdimit të seancës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka njoftuar se marrëveshjet ndërkombëtare të planifikuara të hidhen në votim të mërkurën janë shtyrë për një seancën tjetër.

Kjo për shkak se Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk po marrin pjesë në votim duke bojkotuar kështu punën e Kuvendit.

Kësisoj për këtë mos sigurim të kuorumit nga partitë opozitare reagojë edhe kryeparlamentari i cili tha se “një Kuvend i cili nuk ka kapacitetet e tij të kalojë marrëveshje ndërkombëtare nuk e meriton të vazhdojë”.

Ndaj indinjatës së Konjufcës reagoi shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili se PDK-ja po angazhohet për ta shpërbërë këtë legjislaturë jofunksionale.

“Jemi të gatshëm të ulemi, të bisedojmë për datën e zgjedhjeve. Posa të caktohet data e zgjedhjeve dhe shpërbërja e Kuvendit, ne do t’i votojmë këto marrëveshje ndërkombëtare”, tha ai.

Në anën tjetër shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se është detyrë e Qeverisë sigurimi i konsensuesit për marrëveshje ndërkombëtare.

“Qeveria s’ka mbërri për asnjë temë, me iniciativë të veten të krijojë konsensus në këto tri vjet. Çdo konsensus që është krijuar, është bërë si rezultat i vullnetit të mirë të deputetëve, kryesisht të iniciuar nga opozita”, tha Gashi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore