Shqipëria

Kuvendi miraton projekt-rezolutën në mbështetje të Ukrainës


Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një projekt-rezolutë për mbështetjen e Ukrainës dhe integritetit të saj territorial pas agresionit rus, i cili ka filluar më 24 shkurt dhe vijon ende.

Në këtë projekt-rezolutë, Kuvendi i Shqipërisë shpreh fillimisht shqetësimin mbi situatën në Ukrainë.

Bazuar në gjithë ngjarjet e fundit, Shqipëria dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë, të paprovokuar dhe pajustifikuar.

Veprimtaria diplomatike nxitet, për të pasur një angazhim më të madh me vendet aleate të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës.

Sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmarra mbështeten plotësisht. Po ashtu, një thirrje e menjëhershme vjen nëpërmjet kësaj projekt-rezolute, për uljen e tensionit dhe tërheqjen e trupave të Federatës ruse nga Ukraina.

Ndërkaq, Qeverisë së Shqipërisë, në dy pikat e fundit, i kërkohet të vazhdojë angazhimin me struktura si NATO, BE-ja, Këshilli i Sigurimit (ku Shqipëria bën pjesë), Organizata e Kombeve të Bashkuara, OSBE-ja dhe me Këshillin e Evropës në rajonin e Ballkanit.

Nxitje për Qeverinë vjen edhe për të forcuar përpjekjet për integrimin evropian të vendit dhe rajonit në strukturat euro-atlantike, në kuadër të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Pjesë e seancës ishte edhe Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, i cili e ka përshëndetur vendimin e Kuvendit të Shqipëri për të mbështetur Kievin në këto ditë të vështira jo vetëm për gjithë ukrainasit, por për gjithë botën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore