Shqipëria

Kuvendi miraton në parim Reformën Zgjedhore


Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në parim ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

Me 105 vota pro dhe 8 kundër, PD dhe PS i qëndruan dakordësisë së shprehur në Komisionin e Ligjeve të mërkurën.R

eforma u kontestua nga një pjesë e deputetëve të opozitës.

Në amendamentin e propozuar nga deputetë nga PD dhe PS, përcaktohet edhe formula se si do të bëhet renditja e kandidatëve në listat për deputetë, duke respektuar kuotat gjinore.

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë arritur dakordësinë për një sërë çështjesh sa i takon Reformës Zgjedhore, duke përfshirë edhe listat pjesërisht të hapura, vota e diasporës, apo edhe herësi për fitimin e mandatit.

Vota e emigrantëve, ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes dhe sa duket, ajo do të mundësohet më në fund në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sipas draftit, “të drejtën e votës nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë e ka çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që për arsye banimi, punësimi, studimi, kryerje të detyrave ushtarake apo arsye shëndetësore ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në datën e zgjedhjeve.

Edhe një zgjedhës që ndodhet jashtë vendit dhe dëshiron që të votojë në zgjedhjet e radhës, për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit. Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit, mjafton që të aplikojë për t’u regjistruar dhe mund ta ushtrojë të drejtën e tij për të votuar.

Vota e çdo shqiptari nga jashtë do të dërgohet me postë në adresën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe aty do të përpunohet. Duhet kuptuar megjithatë cila do të jetë kuota e caktuar për këto vota dhe në cilën zonë zgjedhore do të llogariten.

Listat, nga sa kuptohet, do të jenë të ndara në dy pjesë, ku 1/3 do të jenë lista të mbyllura dhe 2/3 do të jenë të hapura, sipas propozimit të Partisë Socialiste. Demokratët kishin kërkuar 25% të listave të mbyllura dhe 75% lista të hapura.

Por, me argumentin se do të kishte vështirësi më pas për respektimin e kuotave gjinore, është dakordësuar propozimi socialist.

Një aspekt tejet me rëndësi, është edhe herësi i zgjedhjet dhe marrjes së mandatit, i cili sipas draftit propozohet të jetë 7 mijë vota.

Kjo megjithatë është një pikë tejet e kontestuar dhe palët mund të kenë përplasje rreth saj ende, pasi përllogaritja e herësit bëhet në bazë të qarqeve, por me kuadrin e ri ligjor, pretendohet të ketë një dispozitë, e cila parasheh kufirin e pragut të 7 mijë votave, për të thyer herësin.

Në listat e hapura ndërkohë, kandidatët e listës shumëemërore do të renditen në bazë të numrit të votave dhe vetëm në rast barazie tërësore, atëherë do të jetë shorti, ai i cili vendos kush merr mandatin e deputetit.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore