Shqipëria

Kuvendi miraton Buxhetin e vitit 2022, bien poshtë propozimet e Braçes


Kuvendi i Shqipërisë, të enjten e 25 nëntorit ka miratuar me shumicën e votave Projekt- Buxhetin e vitit 2022. Ai është votuar me 77 vota pro dhe 46 kundër.

Gjithashtu në Kuvend është votuar për propozimet mbi paketën fiskale të ish-zëvendëskryeministrit Erjon Braçe.

Amendamentet e tij të dorëzuara me disa ndryshime në paketën fiskale, nuk u miratuan, duke marrë kështu vetëm tetë vota pro.

Braçe, në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, tha se ky buxhet ka nevojë për përmirësime, pasi është “goditur më i dobëti”.

Sipas tij, nuk duhen favorizuar bizneset e mëdha, por duhet vendosur një rregullator.

“Kam kërkuar disa herë në Kuvend reduktimin e listës së përjashtimeve fiskale për biznesin, sidomos për atë të madh. Së pari, doja të propozoja heqjen e reduktuar të 6% të tatimeve me vlerën e shtuar për të gjitha hotelet me 5 yje. Sepse për çdo investim të tyre paguhet vetëm 6% TVSH”, bëri me dije Braçe.

Deputeti propozoi gjithashtu, heqjen e përjashtimit të favorizimit me tokë dhe me ndërtesë në shitjen e parë për të gjitha zonat rezidenciale jashtë qyteteve dhe vijën bregdetare.

Edhe propozimet e tjera të bëra nga LSI nëpërmjet deputetëve, Monika Kryemadhi, Erisa Xhixho dhe Petrit Vasili u hodhën poshtë.

Miratimi i Buxhetit erdhi pas një muaj diskutimesh në Komisionet Parlamentare.

Buxheti 2022

Qeveria ka parashikuar të shpenzojë rreth 637 miliardë lekë, dhe të ardhurat priten të shkojnë në 536 miliardë lekë.

Në këtë mënyrë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka planifikuar që deficiti të arrijë në 101 miliardë lekësh.

Shpenzimet e personelit për vitin 2022, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave kryesisht për sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes.

Gjithashtu theksohet, se fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 2.4 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 6% për punonjësit shëndetësor dhe ata arsimorë.

Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 90.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB-së. Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.55 miliardë lekë duke u rritur krahasuar me një vit më parë.

Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare.

Niveli i fondit rezervë për vitin 2022, planifikohet në masën 3.4 miliardë lekë, përkatësisht 2.4 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave, 500 milionë lekë fond kontigjence për projektet me BE-në si dhe 500 milionë lekë kontingjencë për projekte specifike për fëmijët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore