Kuvendi kalon të gjithë projektligjet, vetëm njëri me votim bipartizan
SHFLETO
Vitjon Nina
28.10.2021 19:38
Loading Icons...
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar të gjithë projektligjet e paraqitur në seancën e 28 tetorit, ku me vota unanime ka kaluar vetëm projektvendimi për ngritjen e Komisionit Hetimor për Inceneratorët. Kërkesë kjo e hershme e Partisë Demokratike.
Me 117 vota pro dhe vetëm një abstenim, Kuvendi do të shohë ngritjen për hetimin e Inceneratorit të Fierit, sipas pretendimeve të demokratëve.
Projektligji për Eurobondin ka kaluar vetëm me votat e shumicës, duke hyrë kështu në fuqi menjëherë. Me 78 vota pro, 4 kundër dhe 33 abstenim, Shqipërisë i hapet rruga e lirë për daljen në tregjet ndërkombëtare.
Është miratuar po ashtu edhe buxheti faktik i vitit 2020. Sërish, ai ka kaluar vetëm me votat e shumicës. Kanë qenë 76 vota pro dhe 41 kundër, të cilat kanë shkuar për buxhetin.
Ndërsa Kuvendi dhe komisionet e përhershme bëhen gati të diskutojnë mbi buxhetin e ri 2022.
Me 78 vota pro, 3 kundër dhe 36 abstenim, ka kaluar edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë mes Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në bazë saj, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), do të marrë një hua për reagimin ndaj krizës energjetike. Vlera e borxhit shkon në 70 milionë euro.
Eurobondi
Lajmin fillestar se Shqipëria ishte gati për të emetuar Eurobondin e radhës, e dha ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, më 13 tetor.
Në një dalje për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj zbardhi pikërisht vendimin mbi daljen në tregje ndërkombëtare.
Sipas Ibrahimajt, ky projektvendim i Qeverisë vjen me qëllim garantimin e financimit të deficitit në Shqipëri.
Eurobondi i radhës pritet të jetë në shifrat nga 500 deri në 700 milionë euro.
Eurobondi i fundit i emetuar ishte 650 milionë euro, më 9 qershor 2020. Kuponi asokohe ishte prej 3.65% me një afat maturimi shtatë-vjeçar. Këtë herë, shifra mund të shohë rritje.
Hyrja në tregje tani, bëhet me arsye për ta emetuar atë menjëherë, në çastin kur interesat janë më së shumti të ulëta, siç e ka përkufizuar më parë edhe vetë ministrja.