Lajme

Kuvendi i Kosovës votoi pro, por zbarkimi i trupave të FSK-së në Ishujt Falkland mund të evitohet


Fotografia e punuar nga Albanian Post

Nëse Kosova, më saktësisht Ministria e Mbrojtjes, insiston me doemos në dërgimin e një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ishujt Falkland edhe pasi një gjë e tillë është kundërshtuar përmes kanaleve diplomatike nga një shtet mos-njohës i pavarësisë së Kosovës, siç është Argjentina, atëherë për Gëzim Visokën, profesorin në Dublin City University, një dislokim i tillë mund të rezultojë kundër-produktiv.

Me 77 vota për Kuvendi i Kosovës, afërsisht dy muaj më parë, i kishte dhënë dritën e gjelbër Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e një kontingjenti të përbërë nga gjashtë ushtarë për në Ishujt Falkland në koordinim me Mbretërinë e Bashkuar.

Bashkë-zbarkimi i ushtarakëve të FSK-së me ata të Mbretërisë së Bashkuar në Ishujt Falkland ka si qëllim mbështetjen e paqes, por pavarësisht karakterit të këtij operacioni ushtarak, ky dislokim u kundërshtua nga Qeveria argjentinase.

Ministria e Punëve të Jashtme argjentinase materializimin e një veprimi të tillë e kishte cilësuar në kundërshtim me rezolutat e shumta ndërkombëtare të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të cilat nxisin Argjentinën dhe Mbretërinë e Bashkuar të rifillojnë negociatat për t’i dhënë fund mosmarrëveshje mbi sovranitetin e këtij arkipelagu, në të cilën pritet dislokimi i ushtarakëve kosovarë.

“Dërgimi i FSK-së në këtë ishull bie ndesh me rezolutën 31/49 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që u bënë thirrje Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar të përmbahen nga miratimi i vendimeve të njëanshme që sjellin ndryshime në situatë ndërkohë që ishujt janë në proces të negociatave të rekomanduara nga i njëjti Asamble”, thuhej në njoftimin e MPJ-së argjentinase.

Gëzim Visoka

Mu për këtë arsye Visoka, profesori i Asociuar i Studimeve të Paqes dhe Konflikteve, thotë se ndoshta në këtë fazë do të duhej të evitohej dërgimi i trupave të FSK-së në një ishull dhe territor të kontestuar për disa arsye, ani pse një vendim i tillë ka për synim thellimin e bashkëpunimit bilateral me Mbretërinë e Bashkuar.

Në dislokim i tillë, sipas Visokës, në këtë fazë mund të shkojë në favor të Serbisë, e cila përmes kësaj “karte” pasuron argumentet e saja negative kundër shtetësisë së Kosovës.

“Rreziku është që tani Argjentina të bëhet aleate aktive ndërkombëtare e Serbisë për të lobuar kundër njohjes dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Pra, një dislokim i tillë mund të rezultojë me pasoja në rrafshin multilateral dhe në sferën e ndikimit të Argjentinës brenda OKB-së dhe Amerikës Latine”, thotë Visoka për Albanian Post.

Një veprim i tillë, sipas Visokës, është e ngjashme sikurse me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, në këtë rast Kosova fitoi një njohje diplomatike, por krijojë armiq dhe probleme të tjera në rrugën e saj drejtë anëtarësimit në OKB.

“Veprime të tilla në politikë të jashtme që sjellin përfitime afatshkurtëra politike dhe diplomatike të karakterit bilateral, rrezikojnë të kenë pasoja negative afatgjate. Në përgjithësi edhe qeveria aktuale, por edhe qeveritë paraprake kanë pasur mungesë të mendimit dhe veprimit strategjik në një periudhë afatgjate”, ka shtuar ai për AP.

Në vend të dislokimit të ushtarakëve të FSK-së në misione të ndjeshme, Visoka propozon një rrugë tjetër të cilën FSK-ja, por edhe Policia e Kosovës duhet ta ndjekë.

“Kosova duhet të shfrytëzoj hapsirën brenda MSA-së për t’i kërkuar BE-së që Polica e Kosovës dhe FSK-ja të marrin pjesë në misione te BE-se për menaxhim krizash”.

Pas kundërshtisë së bërë nga Argjentina në formë verbale, e njëjta kishte dërguar edhe një notë proteste Mbretërisë së Bashkuar, lidhur me dërgimin e një kontingjenti të FSK-së për një operacion paqeruajtës në Ishujt Falkland.

Argjentina në këtë notë proteste kishte pretenduar se nisma ushtarake e kryer nga Mbretëria e Bashkuar në koordinim me FSK-në “përbën një shfaqje të pajustifikuar të forcës dhe një largim i qëllimshëm nga thirrjet e rezolutave të shumta të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”.

Çështja e Ishujve Falkland

Sovraniteti mbi Ishujt Falkland kundërshtohet nga Argjentina dhe Mbretëria e Bashkuar.

Pretendimi britanik për sovranitet daton që nga viti 1690, kur i njëjti zbarkoi për herë të parë në Ishull.

Mbretëria e Bashkuar ka ushtruar de facto sovranitet mbi arkipelag pothuajse vazhdimisht që nga viti 1833.

Në anën tjetër Argjentina pretendon se kur arriti pavarësinë në vitin 1816, ajo fitoi Ishujt Falkland nga Spanja.

Mosmarrëveshja u përshkallëzua në vitin 1982, kur Argjentina pushtoi ishujt , duke nxitur Luftën e Falkland, një luftë që në histori njihet si Guerra de las Malvinas.

Konflikti përfundoi në ditën e 74 të saj pasi Argjentina u dorëzua.

Banorët e ishujve Falkland preferojnë në masë të madhe të mbeten britanikë.

Të njëjtit kanë fituar edhe nënshtetësinë britanike me Aktinë e Kombësisë Britanike, pas fitores së Britanisë së Madhe në Luftën e Falkland.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore