Lajme

Kuvendi i Kosovës miratoi pesë marrëveshje ndërkombëtare


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës me 80 vota “për”, ka miratuar amendamentin dhe projektligjin për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit mes Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministrisë së Arsimit për programin e shkëmbimit akademik Fulbright.

Me 80 vota “për”, kuvendi ka miratuar edhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për statusin e pjesëmarrjeve të Forcave së Sigurisë së Kosovës dhe Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve përkatëse.

Organi më i lartë legjislativ ka miratuar edhe marrëveshjen e tretë ndërkombëtare me 87 vota “për” projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit, nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit.

Po ashtu, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar një amendament dhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Horizon Europe, korniza e programit për kërkim dhe inovacion.

Pas shumë diskutimeve është miratuar edhe marrëveshja e pestë ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së që quhet “Evropa kreative 2021-2027”.

Ndërsa marrëveshja ndërkombëtare për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale” nuk u miratua.

Nuk është miratuar marrëveshja e marrëveshjes së financimit mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë.

Për këtë marrëveshje 75 deputetë kanë votuar për dhe 8 kundër.

“Me 75 vota për dhe 8 kundër dhe asnjë absnetim, konstatoj se Kuvendi nuk e miraton këtë marrëveshje”, u shpreh kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Ndryshe, për marrëveshjen në fjalë, votuan gjithsej 83 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

E njëjta u konsiderua e nevojshme nga Qeveria Kurti dhe u përkrah edhe nga dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, mirëpo u kundërshtua nga LDK-ja.

Për këtë në Kuvend pati debat.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se vlera totale e marrjes së kredisë për reformë është 47 milionë euro.

“Vlera totale e projektit prite të kap shumën deri në 47 milionë euro dhe do t’i mundësojë Qeverisë së Kosovës që të përmirësojë efikasitetin e asistencës sociale. Përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë shpenzimet e qeverisë të cilat shkojnë drejtë familjeve në nevojë”.

Por, kundërshti ndaj marrjes së kësaj kredie shprehu deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se nuk ka ndodhur asnjëherë që të merren kredi për pagesa të skemave sociale.

“Të merret kredi për pagesë të skemave sociale kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Ndoshta prej viti 2008 e këndej nuk ka ndodhur që qeveria të marrë kredi për të paguar pagat ose skemat e ndryshme sociale dhe pensione”.

“Në fund të fundit çfarë shteti jemi ne që me të hyrat që mbledhim të paguajmë skemat sociale edhe shpenzimet elementare në shëndetësi, arsim dhe pagat që të funksionojë një shtet normal. Nëse e sheh historinë edhe përvojën e vendeve të tjera vetëm Palestina, Sahara Perëndimor, pra vetëm disa prej vendeve që kanë vështirësi konsolidimin e institucioneve të tyre marrin kredi të tilla. Por jo vende siç është Kosova”, tha ai.

Më pas situata gati eskaloi pasi që Ministri Murati shkroi në llogarinë e tij në Facebook, se me mos votimin e kësaj marrëveshje ndërkombëtare, LDK, bëri historinë duke rrëzuar për herë të parë  një marrëveshje ndërkombëtare.

Pasi pa këtë status, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi u shpreh i indinjuar duke thënë se LDK nuk do të marrë pjesë më në votime.

Pas fjalimit të Gashit, ndërhyri deputeti i VV-së, Dimal Basha, i cili i bëri thirrje LDK-së që të votojë edhe kundër marrëveshjeve me amerikanët.

Në momentin e replikës së Arben Gashit ndaj Dimal Bashës, ky i fundit u ndal tek karrigja e deputetit të LDK-së duke i thënë të mos flas.

E kjo shkaktoi nervozizëm tek LDK.

“Baju. Bajuuu”.

“Marrëveshjet ndërkombëtare për marrjen e kredive për një projekt-pilot ne e arsyetuam kundër”.

“Sepse ideologjikisht dhe teknikisht vlerësojmë se është në dëm të interesit të Kosovës. Marrëveshjet tjera i votuam për. Ju doni mu sjell me këtë gjuhë në Kuvend, kjo nuk krijon momentum bashkëpunimi”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore