Shqipëria

Kuvendi gati t’i kërkojë Autoritetit të Dosjeve publikimin e emrave të ish-sigurimsave, pjesë e administratës


Më 27 korrik 2022, një letër e zbardhur e Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit, drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, zbuloi se ish-presidenti i vendit, Ilir Meta, ka rezultuar si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në kohën e diktaturës komuniste.

Në një dosje të përndjekjes së një shtetasi, pjesë e “agjentëve” bashkëpunues të sigurimit, ishte pikërisht edhe I.M., i cili më pas u bë me dije se bëhej fjalë për presidentin Meta.

Vetë autoriteti, nëpërmjet kryetares Genta Sula, ka kërkuar të bëhen ndryshime ligjore nga ana e Kuvendit, për të shmangur pjesëmarrjen aktive politike të atyre që njihen si ish-sigurimsa dhe në mënyrë që ata të mos ushtrojnë më funksione publike.

Nisur nga kjo, pritet që Kuvendi i Republikës, t’i kërkojë autoritetit të bëjnë publike listën e personave të përfshirë me ish-sigurimin.

Kjo, nëpërmjet një forme rezolute për vlerësimin e Autoritetit të Dosjeve.

Publikimi i kësaj liste, do të kërkohet të bëhet i aksesueshëm në faqen online të autoritetit. Por, vetëm për aq sa e lejon kuadri ligjor.

Pra, individët, të cilët gjatë hapjes së dosjeve kanë rezultuar si bashkëpunëtorë me ish-sigurimin e shtetit dhe që janë pjesë e administratës publike, mund të bëhen publike, qoftë edhe përmes inicialeve.

Ndër të tjera, kërkohen edhe një sërë angazhimesh të mëtejshme prej autoritetit.

Për shembull, angazhimi në dorëzimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit nga arkivi i Ministrisë së Brendshme. Përpos kësaj, edhe një bashkëpunim më i thellë ndërinstitucional.

Institucionet qeveritare, sipas rezolutës, duhet të qartësojnë fatin e të zhdukurve në kohën e komunizmit.

Kjo, duke parë dokumentet mbi vendvarrime të ndryshme, të identifikuara ose ende jo.

Intensifikimi i autoritetit me institucione të tjera homologe jashtë vendit, po ashtu është një kërkesë, e cila bëhet për të parë eksperiencat më të mira të ish-vendeve komuniste të bllokut të majtë, të cilat i kanë mbyllur çështjet e dosjeve dhe të sigurimit.

Pra, një reformë e re e “spastrimit” të administratës publike dhe funksionarë të lartë prej ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit është më se e mundshme, së shpejti edhe në kuadër ligjor me gjasë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore