Lajme

Kuvendi formon komisionin për intervistim të kandidatëve për anëtarët e bordit të OSHP-së


Kuvendi i Kosovës.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës të mërkurën, me 69 vota për është formuar organi përzgjedhës i pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Anëtarë të këtij Komisioni do të jenë Rustem Thaçi, Franciska Zhitia-Imeri, Nikola Petroljeviç.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi para votimit ka thënë se me procedurën që ka bërë qeveria po del që paska mundur para një viti ta kryej këtë punë.

“Qeveria në këtë rast është pjesë e një afere korruptive me tenderë njëburimor. Ky është problemi që e ka Kuvendi. Një orë pa ardhur kjo pikë në rend kryeministri prej Amerike e ka ndalë counter strike-in edhe e ka propozuar një emër”, ka thënë ai.

Ndryshe, sërish përzgjedhja e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit ka nxitur debat mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, deklaroi se që nga marsi 2021, OSHP është pa bord funksional.

Sipas tij, ligji për OSHP-në nuk e obligon Qeverinë të shpallë konkurs.

“Qeveria çfarë bën? Shpallë konkurs dhe pasi të mbyllet i shton edhe tre emra të tjerë. Për ta shtuar paradoksin dy orë para se kjo të vijë në votim qeveria shtoi edhe një propozim. Çfarë po ndodh me këtë qeveri? Nuk respekton as praktiken as ligjin”.

“Edhe organizon konkurs edhe propozon emra jashtë konkursit. I bije që kryeministri ka emra të përveçëm që ka blerë më shumë se ata që kanë konkurruar. Për këtë shkak ne nuk mund të votojmë dhe nuk bëhemi pjesë e kësaj loje të pakuptimte që tregon qëllimin për kapjen e këtij institucioni”, ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës.

Ndër të tjera, ka deklaruar se qeveria i ka dëgjuar miqtë ndërkombëtar dhe ka propozuar jashtë konkursit njerëz.

“Kryeministrit nuk i ka pëlqyer konkursi dhe emirat në të, sot na erdhi edhe i katërti. Prej Amerike ka organizuar mbledhje të qeverisë për ta propozuar edhe emrin e katërt”, ka thënë ai.

Shefja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila theksoi se në e Freedom House është përmirësuar Qeverisja në Kosovë.

Sipas saj, nuk mund ta prishim një praktikë që tregon rezultat pozitiv.

“Nëse duan destruktivitet le të provojnë metoda të tjera. Mos të dalin dhe të vendosin fajin tjetër kund për arsye se sot është një proces i rëndësishëm. Ftoj deputetët të votojnë propozimin e KGJK-së për përzgjedhjen e anëtarëve të OSHP-së për zhbllokimin e qindra-mijëra eurove”, ka thënë Kusari-Lila.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, theksoi se janë mbi 200 milionë të bllokuara në institucione si pasojë e moszgjidhjes së bordit të OSHP-së tash e 12 muaj.

Ai deklaroi se kjo nënkupton që Qeveria me vetëdije të plotë e ka shtyrë procesin e emërimit të bordit për të vendosur një bord që u shkon përshtati kontraktimeve të Qeverisë.

“Ne si GP e kontestojmë procesin dhe tej zgjatjen, si rezultat si GP nuk e votojmë”, ka thënë ai.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zgjedhur dy anëtarë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës nga komuniteti serb, ndërsa dështoi të zgjidhet një anëtar nga komunitetet tjera jo shumicë, rrjedhimisht për këtë pozitë do të rishpallet konkursi.

Për pozitën e një anëtari të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve nga komuniteti serb u zgjodh Nikolla Kabashiç, ndërsa për pozitën e një anëtari në KGJK nga radhët e jo gjyqtarëve u zgjodh Adriana Miletiç.

Kuvendi zgjodhi edhe Birol Urcan në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komuniteteve tjera jo shumicë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore