Lajme

Kuti me sytë e përgjakur të kafshëve u dërgohen tetë ambasadave ukrainase në Evropë


Disa pako që brenda kishin sy të kafshëve janë dërguar në tetë ambasada të Ukrainës në Evropë.

Kështu ka konfirmuar ministria e Jashtme ukrainase në një deklaratë për mediat.

Kutitë të mbuluara me gjak u gjetën në Hungari, Itali, Holandë, Poloni, Kroaci, Austri, Spanjë dhe Çeki.

Nuk dihet se kush i ka dërguar pakot në ambasada dhe konsullata.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, beson se po zhvillohet një “fushatë e mirëplanifikuar terrori dhe frikësimi”.

Dy ditë më parë një punonjës u plagos pasi një zarf me mjete piroteknike shpërtheu në ambasadën e Ukrainës në Madrid, Spanjë – një nga një seri incidentesh të supozuara.

Pakot e dorëzuara në ambasadat dhe konsullatat evropiane, ishin të mbushura me një lëng me ngjyrë karakteristike dhe kishin një erë përkatëse.

Në një përditësim të mëvonshëm të premten, u tha se policia spanjolle kishte rrethuar një zonë përreth ambasadës ukrainase në Madrid pasi mori një paketë të ngjashme të përgjakshme, ndërsa policia çeke tha se pako që përmbanin inde kafshësh ishin dërguar në ambasadën ukrainase në Pragë dhe në konsullatë në Brno.

Ndërkohë, presidenti spanjoll, Pedro Sanchez, ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, baza ajrore “Torrejón de Ardoz” dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Spanjë kanë qenë marrësit e katër pakove me mjete piroteknike brenda.

Kjo përveç dy pakove të dërguara dje pranë Ambasadës së Ukrainës në Spanjë dhe një kompanie në Zaragoza që prodhon pajisje ushtarake.

Në të gjashtë rastet, karakteristikat e zarfeve ngjyrë kafe dhe përmbajtja e tyre janë të ngjashme – ata kishin të njëjtën adresë, të shkruar me stilolaps dhe me shkronja të mëdha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore