Shqipëria

Kushtetuesja rrëzon PS-në, Zaçaj: Mandati i Xhaçkës shqyrtohet nga ne, vendimi nuk diskutohet


Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, këtë të mërkurë të 10 korrikut ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të dërgojë menjëherë në Kushtetuese mocionin e deputetëve për mandatin e deputetes, Olta Xhaçka.

“Gjykata Kushtetuese konstatoi se vendimi nuk është ekzekutuar nga Kuvendi. Përmes vendimit, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të Gjykatës Kushtetuese”, tha Zaçaj.

Sipas saj, vendimet e Kushtetueses kanë efektet dhe forcën e ligjit që asnjë organ s’ka të drejtë t’i vërë në diskutim.

“Organet shtetërore duhet t’i zbatojnë”.

Vendimi ka efekt detyrues si me pjesën urdhëruese ashtu edhe me pjesën arsyetuese.

Zaçaj sqaroi se, Kuvendi duhet të votojë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës pasi nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare.

“Është në kuadër të ekzekutimit të Gjykatës, e cila ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës për zgjidhjen e konfliktit me Kuvendin (kërkesa e opozitës)”.

Zaçaj gjithashtu bëri me dije se Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e PS-së, e cila me anë të Kuvendi i kërkoi Kushtetueses që të rihapë shqyrtimin gjyqësor dhe marrjen e një vendimi nga Komisioni i Venecias.

Kuvendi kërkon nga Kushtetuesja rihapjen e çështjes për mandatin e Xhaçkës, por me opinion nga Komisioni i Venecias

Vendimi

Gjykata Kushtetuese pati urdhëruar rreth 1 vit më parë që Kuvendi t’i dërgojë mandatin e Xhaçkës, që pikërisht Kushtetuesja të vendoste nëse ka konflikt interesi.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, pati theksuar se mos zbatimi i vendimit të kësaj gjykate për mandatin e ish-ministres Xhaçka, është një situatë e pazakontë.

Por në prill të këtij viti deputetët socialistë “shpëtuan” kolegen e tyre, me 72 votat e tyre kundër dërgimit në Kushtetuese.

Nga ana tjetër, 39 vota pro këtij projektvendimi kanë qenë nga opozita për dërgimin e Xhaçkës në Kushtetuese, por të pamjaftueshme për të dërguar mocionin lidhur me papajtueshmërinë e mandatit të saj në organin më të lartë ligjor në vend.

Socialistët ‘shpëtojnë’ Xhaçkën, votojnë kundër dërgimit të mocionit në Kushtetuese

Ndërtimi i ngjarjes

Kërkesa erdhi nga 15 deputetë të opozitës për mocion “Për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit te mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.

Kërkesa e deputetëve demokratë erdhi për faktin se një subjekt privat, të cilin e menaxhon bashkëshorti i Xhaçkës, ka marrë statusin e “investitorit strategjik”.

Kjo, për të zhvilluar një projekt në bregdetin e Himarës, duke marrë kështu pronën publike për 30 vjet.

Sipas tyre, ka pasur favorizime për shkak të detyrës që Xhaçka ka në kabinetin qeveritar.

Kujtojmë që Xhaçka e nisi karrierën politike në vitin 2009 si deputete e PS për Qarkun e Korçës.

Në mars të vitit 2017, ajo mori drejtimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë – post të cilin e mbajti për pesë muaj.

Më pas, po nga 2017-2021 mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke zëvendësuar Mimi Kodhelin. Detyrën në krye të Mbrojtjes, Xhaçka e mbajti deri në janar të këtij viti.

Në fillim të vitit 2021, Xhaçkës iu besua Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku zëvendësoi Gent Cakajn.

Rama mbron vendimin për Xhaçkën: Kushtetuesja nuk mund të urdhërojë si votojnë deputetët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore