Lajme

Kushtetuesja rrëzoi ligjin për KPK-në, Tahiri: Anti-kushtetutshmëria është duke u bërë normë e Qeverisë Kurti


Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në konferencë për media ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ai ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuesese rreth Ligjit për KPK-në e vërteton se antikushtetutshmëria është duke u bërë normë e standard qeverisës, e në të njëjtën kohë vlerësimi dhe komentimi që vjen prej anëtarëve të qeverisë tregon mospërfilljen dhe qasjen autoritare.

“Është e pakuptimtë dhe njëkohësisht e patolerueshme që një qeveri për çdo vendim të Kushtetueses të ketë qëndrime politike dhe njëkohësisht të shtynë ligje që i ka kontestuar Komisioni i Venecias, dhe ato prapë të mundohen e shtyhen në miratim”.

“Nuk ka asgjë tjetër në synim përveç se përmes ligjeve që bëhen të kapen institucionet e pavarura, institucione që në esencë e kanë mbikëqyrjen dhe kontrollin e sistemit institucional e qeverisës në vend. Kjo logjikë duhet të ndalet, e një herë e përgjithmonë të kthehet te e drejta kushtetueses e ndarjes së pushteteve”, tha Tahiri.

Ndërakq, deputeti i AAK-së ka përmendur ngritjen enorme të çmimeve duke filluar nga produket bazike përgjatë këtyre dy vjetëve të qeverisjes së Albin Kurtit, duke thënë se barra po peshon mbi qytetarët e Kosovës.

“Kjo është barrë e madhe për qytetarët e Kosovës, ajo që e kemi parë në këto dy vjet është se është ngritur çmimi i shportës së konsumit, është rritur çmimi i rrymës, tatimi në pronë dhe gjithçka që merret si mbijetesë e njeriut, ndërsa rrogat kanë mbetur si në sektorin publik e ashtu edhe në sektorin privat, të njëjta”, shtoi ai.

Ndryshe, opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Paralelisht vazhdon pingpongu i pushtetit dhe opozitës se kush ka më shumë faj. Me diskurs krejt të ndryshëm po u përgjigjen edhe thirrjeve e presioneve perëndimore për zbatimin e Planit Evropian, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore