Kushtetuesja refuzon ta pezullojë vendimin e BQK-së për dinarin, rrëzon kërkesën e Vasilije Arsiç

SHFLETO

Ilustrim.

 

Altina Marmullaku
25.06.2024 15:50
Loading Icons...

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka refuzuar kërkesën për caktim të masës së përkohshme, përkatësisht pezullimin e zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për dinarin.

Në njoftimin e publikuar të vendimit, nga Kushtetuesja kanë thënë se “njërzëri” është vendosur që kërkesa për pezullim të shpallet “e papranueshme për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj”.

Serbët ishin ankuar përmes Vasilije Arsiç dhe kishin kërkuar pezullimin e vendimit të BQK-së që u fut në fuqi me 1 shkurt të këtij viti me emrin “Operacionet me Para të Gatshme”, që gjerësisht njihet si vendimi për dinarin.

“Aktvendimi i Gjykatës për papranueshmëri vë theks në praktikën e konsoliduar gjyqësore të Gjykatës, në kontekst të detyrimit kushtetues për shterimin e mjeteve juridike, përfshirë përkitazi me kontestimin e akteve nënligjore. I njëjti rithekson se bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari serb.

Por, më 1 shkurt hyri në fuqi rregullorja e BQK-sё, nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb brenda territorit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), kanë bërë thirrje të vazhdueshme që vendim për dinarin të shtyhet pasi që i njëjti është bërë pa konsultim dhe pa përgatitje.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi e Petar Petkoviç – u mbyllën për mbi tetë orë në një prej zyrave të BE-së në Bruksel të Belgjikës më 15 maj për t’i vazhduar për herë të shtatë brenda pak muajsh negociatat mbi çështjen e dinarit, por që – sërish – rezultuan pa marrëveshje për rregulloren e BQK-së mbi operacionet me para të gatshme në Kosovë.