Kushtetuesja refuzon kërkesën e PDK-së për pezullimin e vendimeve të seancës së 13 korrikut ku u rrahën deputetët

Gjykata Kushtuese në një aktvendim të nxjerrë të martën, ka vendosur që ta refuzojë kërkesën e bërë nga Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, për vlerësim të kushtetutshmërisë për vendimin e caktimit të seancës plenare të 13 korrikut.
“Gjykata ka vendosur të refuzojë kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme ndaj aktit të kontestuar në fjalë, duke theksuar që, një vendimmarrje e tillë nuk paragjykon në asnjë mënyrë vlerësimin e Gjykatës lidhur me kërkesën bazë, përkatësisht kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar”, thuhet në vendim.
Ndërkaq, në vendim theksohet se mos vendosja e masës së përkohshme nuk e paragjykon vendimin përfundimtar në lidhje me kërkesën në fjalë.
“Vendimi i Gjykatës në fund sqaron që kjo vendimmarrje nuk ndërlidhet dhe/ose nuk afekton dy vendime të Kuvendit të miratuara në seancën plenare të 13 korrikut 2023 dhe të cilat janë kontestuar ndaras në Gjykatë nga deputetë të Kuvendit sipas autorizimeve të përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, përkatësisht (i) kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-583] për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, të regjistruar tashmë në Gjykatë si kërkesa KO 157/23; dhe (ii) kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-142 për “ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”, të regjistruar tashmë në Gjykatë si kërkesa KO 158/23″.
Për më tepër, thuhet aty, “siç janë njoftuar të gjitha palët e interesuara nga Gjykata, kërkesa në rastin KO 158/23, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës dhe nenin 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, i nënshtrohet efektit suspenziv dhe rrjedhimisht, i njëjti nuk mund të prodhojë efekt juridik deri në vendimmarrjen përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.
Ndryshe, me 20 korrik, Shefi i grupit parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, kishte bërë të ditur se kanë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për caktimin e seancës plenare të 13 korrikut, ku kishte përleshje mes pushtetit dhe opozitës.
Por, që pastaj po atë ditë seanca kishte vazhduar kështu duke miratuar projektligje të rëndësishme njëri prej tyre edhe Projektligji për Pagën Minimale.
Tahiri përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ kishte thënë se ajo seancë ishte ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, prandaj nga PDK-ja ishte kërkuar që të gjitha vendimet të anulohen.
“Seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese”.
Ai kishte theksuar se kryetari i Kuvendit të Kosovës ka bërë dy shkelje kushtetuese.
“Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë”, kishte shkruar Tahiri.
Ai tutje kishte sqaruar se kishin kërkuar që të pezullohen edhe të gjitha vendimet që kishin dalur nga ajo seancë të cilën e ka quajtur “jokushtetuese”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Maqedonci për arrestimin e pjesëtarit të FSK-së: Do të veprohet në përputhje me rregullorët
-
I arrestuari i tretë për vrasjen në Prishtinë është pjesëtar i FSK-së, e konfirmon Ministria e Mbrojtjes
-
Naim Murseli pranoi në polici se pagoi dorasin për vrasjen e gruas së tij
-
Haziri: Sundimit të ligjit po i prin ai që s’e doni për kryeprokuror